Dorëheqja e Donika Kadaj-Bujupit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti në të cilin ajo dha kontribut 13-vjeçar, bëri bujë mediale, derisa filloi edhe debati lidhur me atë se ku do ta vazhdojë aktivitetin politik deputetja që deri tani ishte e AAK-së. Kadaj Bujupi kishte zgjedhur KTV-në për të bërë publik vendimin e saj për dorëheqje.
Edhe pse dorëheqja e saj mbetet ende e pasqaruar dhe me bazë spekulative lidhur me arsyet që do të mund ta kenë shtyrë Kadaj-Bujupin drejt dorëheqjes nga partia e Ramush Haradinajt, mes saj dhe Vetëvendosjes, për shkak të kauzës opozitare është vërejtur një afërsi në qëndrimet politike dhe në format e rezistencës brenda Kuvendit të Kosovës.
Madje, Kadaj-Bujupi ishte një ndër deputetet e para që hodhi gazin lotsjellës në Kuvend së bashku me deputetët e Vetëvendosjes, të cilët ende kanë proceset e hapura gjyqësore për thyerjen e ligjit në Kuvend.
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu për KosovaPress tha se ajo kuptoi nga mediat për dorëheqjen e deputetes nga AAK-ja, derisa thotë ato çfarë u transmetua nëpër media se Kadaj-Bujupi ka kaluar në VV janë spekulime, pasi nuk ka asgjë zyrtare deri tani.
Mirëpo, Haxhiu thotë se Vetëvendosje është e hapur për këndo që kundërshton Qeverinë dhe dy marrëveshjet me Serbinë e Malin e Zi, përfshirë edhe Kadaj-Bujupin.