Kosovarët kërkojnë memorial për NATO-n. Muzgu i mbrëmjes i 24 marsit të vitit 1999 ishte moment i shpresës për qytetarët e Kosovës. Shënonte ora 19 e 45 minuta kur aeroplanët e NATO-s kishin bombarduar caqet e para të ushtrisë serbe.
Sulmi ushtarak kundër ish-Jugosllavisë ishte veprimi i fundit që kishin ndërmarrë vendet anëtare të NATO-s, pasi të gjitha përpjekjet për të arritur një zgjidhje paqësore ishin shuar, shkruan sot Koha Ditore. 17 vjet pas, sulmet e NATO-s kujtohen në mënyra të ndryshme.
Serbët vazhdojnë t’i kujtojnë si të agresorit ndaj shtetit të tyre, duke kujtuar viktimat dhe dëmet ekonomike. Kujtim tjetër kanë shqiptarët.
Bombardimet e NATO-s në territorin e ish-Jugosllavisë për shqiptarët ishin moment i kthesës dhe i shpresës për të arritur lirinë dhe për të ndalur vrasjet, masakrat e dëbimet nga shtëpitë e tyre.