Ndërsa në Tiranë debatohet, lidhur me mundësinë e hyrjes në tokën shqiptare të fluksit të refugjatëve të Lindjes së Mesme nga kufiri me Greqinë, pushteti vendor në Gjirokastër ende nuk ka të dhëna për mundësinë e hyrjes së këtyre refugjatëve, si dhe për masat që duhen marrë.
JavaNews kontaktoi me Kryetaren e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami, e cila u shpreh se deri në këto nuk vihen re tendenca për kalim masiv kufiri nga ana e refugjatëve nga Greqia drejt Shqipërisë. Lidhur me këtë situatë, ajo shprehet se ka zhvilluar një takim edhe me drejtorin e Kufirit ku është informuar se për momentin nuk ka lëvizje drejt pikave kufitare shqiptare.
“Mund të ketë raste sporadike të kalimit të kufirit, por nuk ka ndonjë fluks. Me aq sa jam në dijeni, nëse mund të ketë ndonjë fluks. Tek ish divizioni i Gjirokastrës janë janë përgatitur disa kushte për strehim. Por dua të konfirmoj se për momentin nuk ka asnjë fluks” – shprehet Rami.
Sipas saj, për momentin është organizata Save the Children e cila ka marrë kontakte me Bashkinë e Gjirokastrës dhe është ofruar për të dhënë ndihma nëse do të ketë ndonjë zhvillim.
Edhe kryetari i PD-së së Gjirokastrës, Roland Bejko, u shpreh për JavaNews, se deri në këto momente nuk vihet re ndonjë fluks refugjatësh në kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë. Sipas tij, mesa është në dijeni janë bërë gati për çdo situatë disa godina të ish repartit ushtarak në Gjirokastër.