Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar 1 vit burg për ish-ministrin e Arsimit dhe Sporteve, aktualisht deputet i Partisë Demokratike, Myqerem Tafaj, nën akuzën e ”Shpërdorimit të detyrës”.
Akuza ndaj ish-ministrit të Arsimit lidhet me lejimin e programeve të caktuara mësimore të ushtrohen për një periudhë të caktuar, ndërkohë që ministria e linjës nuk kishte dhënë urdhrin përkatës. Kështu mësohet se organi i akuzës ka arritur në përfundimin se, Urdhri nr.381, date 05.08.2011 “Për hapjen e programeve të ciklit të parë që përfundojnë me bachelor dhe programeve të ciklit të dytë që përfundojnë me master i shkencave, të shkollës së lartë private ‘Vitrina’, është nxjerrë nga i pandehuri Myqerem Tafaj në cilësinë e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës në kundërshtim me ligjin dhe në mos përmbushje të rregullt të detyrës.
Kështu nga ana e të pandehurit janë lejuar të zhvillojnë studimet në mënyrë të kundraligjshme nga viti 2009 deri në vitin 2014 në degën Inxhinieri Elektrike (Bsc) janë regjistruar gjithsej 236 studentë, 59 studentë të diplomuar; në degën Inxhinieri Ndërtimi (Bsc) janë regjistruar gjithsej 274 studentë, 66 studentë të diplomuar; në degën Mekatronikë (Bsc) janë regjistruar 294 studentë, 66 studentë të diplomuar; në degën Stomatologji janë regjistruar gjithsej 362 studentë; në degën Farmaci janë regjistruar gjithsej 491 studentë; në degën Mjekësi janë regjistruar gjithsej 212 studentë.
Nëpërmjet nxjerrjes së urdhrit të paligjshëm për lejimin e programeve të studimit të cilat kishin filluar regjistrimet dy vite akademike para se të nxirrej urdhëri, ka rezultuar se janë regjistruar gjithsej 1869 studentë prej të cilëve 191 janë diplomuar nga ana e SHLP Vitrina. Nga raporti i inspektimit datë 17.07.2014 i ushtruar në IAL, SHLP Vitrina ka rezultuar se tarifa për regjistrimin e një studenti në një vit akademik kishte çmime të ndryshme të cilat varionin midis shumës nga 330-1222 Euro për secilin vit. Nga ana e SHLP Vitrina në informacionin e dërguar me shkresën nr.470/1 datë 08.10.2013 në Ministri pretendohet se tarifa është e unifikuar në shumën 500 Euro për student.
Në cilësinë e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, i pandehuri Myqerem Tafaj nuk i është përmbajtur dhe nuk e ka respektuar kërkesën e ligjit, e cila për përcaktimin e kriterit teknik të cilësisë së jashtme të përmbajtjes së programeve, ka përcaktuar një organizëm shtetëror të specializuar nga pikpamja shkencore, qëllimi dhe funksioni i të cilit është përcaktuar në ligjin për Arsimin e Lartë dhe në VKM nr.303 datë 01.07.1999.
Nisur nga aftësitë dhe kapacitetet e Këshillit, nga ana e ligjvënësit, është përcaktuar se vlerësimi i shprehur prej këtij Këshilli në formën e vendimit për plotësimin ose jo të kushteve teknike të cilësisë së institucionit Arsimor, i paraqitet Ministrit, i cili ka detyrimin ligjor për ta zbatuar.
Për secilin program studimi në mënyrë të përmbledhur ekspertët kanë konkluduar se mangësitë dhe mospërputhjet e shumta të programeve mësimore me aktet ligjore dhe nënligjore për hapjen e tyre, kanë detyruar KA t’i paraqesë Ministrit vlerësim negativ për hapjen e tyre, pasi me të drejtë konstatohen mangësi thelbësore të pakapërcyeshme, për të hapur programet mësimore të kërkuara.
Në kundërshtim me atë çka vendosur Këshilli i Akreditimit, Ministri nga ana e tij pa marrë parasysh këto vlerësime, ka vendosur hapjen e programeve mësimore. Ky veprim i tij është kryer me dashje të drejtpërdrejtë, pasi edhe pse ka patur një detyrim ligjor për ta respektuar, edhe pse vlerësimi i dhënë nga institucioni kompetent ishte i qartë (vlerësim NEGATIV), ai ka vendosur hapjen e tyre në mënyrë të kundraligjshme.
Veprimet e kryera nga ana e të pandehurit Myqerem Tafaj kanë sjellë për rrjedhojë hapjen e programeve mësimore, të cilat nuk janë në përputhje me kriteret ligjore të përcaktuara në ligj dhe aktet nënligjore, për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë.
Me veprimet e kryera i pandehuri Myqerem Tafaj, në cilësin e ish-Ministrit të Arsimit dhe Shkencës ka sjellë si pasojë krijimin e mundësisë, subjektit privat “Shkolla e Lartë Private Vitrina”, që pavaresisht se nuk plotesonte standartet e parashikuara nga ligji, të zgjerojë aktivitetin në fushën e arsimit dhe të ofrojë programe jo cilësore studimi, me pasoja financiare për individët dhe për shtetin, si garant i standarteve të larta mësimore. Ai ka sjellë për pasojë dëmin e madhë financiar për 1869 studentë të cilëve vetëm për një vit akademik ju është shkaktuar minimalisht një dëm prej 934.500 Euro.
ATSH