Nga Ylli Pata
Beppe Grillo, ishte një nga komedianët më të njohur në Itali, ku pjesën më të madhe të spektakleve të tij e kishte denoncim ndaj pushtetit politik dhe financiar në vend.
Në vitet 2000, së bashku me një nga inxhinierët e talentuar të teknologjisë digjitale, djalë i një mësuesi të rusishtes në Milano, Grillo ngriti një blog, të cilin e ktheu në një manifest politik proteste ndaj pushtetit që kishte sulmuar për vite në shovv-ut e tij që stërmbusheshin me njerë.
Nuk kaloi shumë e së bashku me inxhinierin Gianroberto, themeluan një lëvizje politike që u quajt “Cinque Stelle-Pesë Yjet”, e cila shumë shpejt arriti të fitojë terren si një parti antiestablishment, sa fitoi bashki të rëndësishme të vendit si Parma, Torino, e natyrisht golin e madh e bënë në Romë, kryeqytetin emërmadh të Italisë.
Logjika e Grillos ishte sulmi dhe quajtja hajdutë e kriminelë të gjithë kastës politike të vendit; që nga Berlusconi dhe e majta, duke përfshirë systemin ekonomik e financiar. i cili ishte më i sulmuar, aq sa Mario Dragi në atë kohë kreu i Bankës Qendrore Europiane quhej vampir që i vjedh të gjithë me “Ibanin e tmerrshëm”, që është numri i llogarisë.
Në vitin 2012 partia Pesë Yjet arriti rezultatin më të mirë në zgjedhje, duke marrë 32 përqind të votave, duke u renditur si partia e parë.
Krijoi kështu një qeveri, duke emëruar një kryeministër që nuk e kishin votuar njerëzit, Giuseppe Conten, të cilin Grillo e nxori nga xhepi, e lidhi aleancë me një nga partitë populiste të së djathtës, Lega Nord të Salvinit, me të cilin u prish, më pas u lidh me të majtët, e në fund, gjatë pandemisë krijoi qeveri me “vampirin” Mario Dragi.
Një ditë, policia arrestoi djalin e Grillos për abuzim seksual me një të mitur, por komediani-politikan mbrojti djalin, e u tërhoq thuajse totalisht nga politika.
Lëvizja e tij është kthyer në një parti normale, ku njerëzit ikin e vijnë, e një numër jo i vogël rend gjykatave të akuzuar për korrupsion, e vetë i tërhequr. Shumë prej intelektualëve që e kanë mbështetur, e kanë konsideruar këtë fat të keq të Grillos si një karma e mënyrës së bërit politikë si një rreth vicioz. Ku akuzat e sulmet e shfrenuara të kthehen një ditë në fytyrën tënde.
Kjo histori politike në një vend të afërt me ne, e natyrisht një nga demokracitë e pjekura perëndimore, nuk është asgjë, përpara historisë sonë 33 vjeçare të politikës.
Ku akuzat dhe sulmet jo vetëm kanë qenë pjesë organike e së bërit politikë, por ato edhe janë gëlltitur pa asnjë problem kur i është dashur po politikës së ditës.
Mirëpo, vjen një kohë, si gjithnjë, kur koha e gjykimit do të vijë për të gjithë. Siç ka ardhur për Sali Berishën, ndaj të cilit ka një akuzë zyrtare nga SPAK, i cili i ka sekuestruar edhe pasuritë që janë në llogari të dhëndrit të tij. Vendim që u mor edhe nga Gjykata e Lartë së fundmi.
Logjika, e sjellja normale politike e do, që kur një politikan është nën akuzë penale, ai tërhiqet, dhe lë aktivitetin derisa të mbarojë përfundimisht betejën e tij gjyqësore. Në kohën që ndodh kjo, çdo diskutim apo sulm politik, edhe nëse kryhet, nuk e ka forcën reale të ngjitjes në opinion, pasi kushdo përgjigjet: të presim vendimin e gjykatës.
Sali Berisha, ka treguar që në fillim që nuk është një politikan i tillë. Madje ai nuk u paraqit në prokurorinë Speciale, edhe pse ky institucion vendosi që në fillim të hetojë në gjendje të lirë ish-Presidentin dhe ish-kryeministrin.
Një qëndrim ky i Berishës, që natyrshëm sillte si pasojë një masë më të rëndë sigurie, që sipas shkallës ishte arresti shtëpiak. Nëse Berisha do të shkonte në SPAK, sipas vendimit të parë të GJKKO-së, ai jo vetëm nuk do të ishte mbyllur në shtëpi, por do të ishte prezent çdo të enjte edhe në Kuvend.
E në këtë panoramë, ka dy qëndrime të mbështetësve të doktorit, që kanë hyrë në rrethin vicioz të tij, të cilin e ka vizituar “mjeshtri i madh” në mënyrë perfekte për të mbajtur radhët shtrënguar sa më shumë.
Qëndrim që e shpalli edhe sot Agron Gjekmarkaj nga Berati. i cili përpara se të zgjidhej në krye të foltores, fliste për respekt të SPAK dhe vijimin e hetimeve për këdo.
Sot, Gjekmarkaj tha se Berisha është një i burgosur politik që mbahet i mbyllur, pa u pyetur, e pa u zhvilluar hetimet, gjithashtu sipas tij pa asnjë argument ligjor.
Këtë që thotë nënkryetari i Parlamentit shqiptar, e thonë në fakt të gjithë mbështetësim mediatikë të tyre.
E sipas logjikës së tyre, doktori është i pafajshëm derisa nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë, e sipas tyre tokën e klubit Sportin Partizani dhe 19 kullat, familja e tij i ka marrë me të drejtë.
Ndërkaq, për këdo kundërshtar politik që ka marrë SPAK-u, e quajnë “hajdut”, duke cituar matërialet që dalin në media, kurse po materialet që kanë dalë në media jo vetëm për Berishën dhe njerëzit e tij, por edhe personazhe të mazhorancës që janë në një lloj “aleance”, sulmojnë SPAK. Të cilin si Berisha, edhe njerëzit e tij e quan një “organizatë kriminale”.
E sipas tyre, SPAK është në rregull, vetëm nëse vendos në arrest apo nën hetim zyrtar Edi Ramën dhe Erion Veliajn, në mënyrë që kështu të bjerë kështjella e mazhorancës, e të hyjnë ata, siç ndodhi pas 6 marsit në selinë e SHQUP që nuk e morën dot më 8 janar.
E gjithë kjo është një qerthull i njohur, i stërparë, i stërlexuar në gjilpërën e gramafonit të vjetër, pa sjellë asnjë model politik të ri, program, apo lidership. Megjithatë është i stërzhurmshëm, pasi ka qëllime të qarta, si pazari freskët në parlament, apo ai i pak kohëve më parë të kullave në qendër të Tiranës. Po ka edhe më. Kjo do të shikohet gjatë zhurmës së emisioneve të javës së ardhshme…