Irani këshillon Shtetet e Bashkuara që të qëndrojnë larg nga Izraeli. Teherani paralajmëron se në këtë mënyrë, Amerika nuk do të lëndohet.
“Kemi lajmëruar lidershipin e SHBA-ve me një mesazh që të mos bjerë në kurthin e ngritur nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, që mund të shkaktoi një luftë të drejtpërdrejtë mes Iranit dhe Amerikës”, njofton zëvendës shefi i zyrës presidenciale iraniane, Mohammad Jamshidi.
Zyrtari nga Teherani zbulon dhe reagimin nga Uashingtoni.
“Në kundërpërgjigje, Shtetet e Bashkuara kërkuan që Irani të mos shënjestrojë strukturat amerikane”, bëri të ditur Jamshidi.
Letra vjen pas sulmit të së hënës ku Izraeli bombardoi konsullatën e Iranit në Damask të Sirisë, duke vrarë 7 anëtarë të Gardës Revolucionare, mes tyre dhe një komandant. Teherani akuzoi Uashingtonin për përfshirje me anë të mbështetjes për Tel Avivin.
Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara janë në alarm maksimal dhe po përgatiten për një sulm domethënës të Iranit javën që vjen kundër Izraelit. Kështu raporton CNN, duke cituar disa burime serioze në administratën Biden, të cilët besojnë se reagimi i furishëm nga Teherani po konsiderohet i pashmangshëm.
Një goditje e drejtpërdrejtë ndaj Izraelit nga Irani është një nga skenarët më të këqij për të cilin po përgatitet administrata Biden, pasi do të sillte një përshkallëzim të shpejtë të një situate tashmë të trazuar në Lindjen e Mesme. Si për ta përforcuar këtë frikë, Irani ka vendosur të gjitha forcat e armatosura në gatishmëri të lartë, pas marrjes së vendimit për kundërpërgjigje, raporton gazeta New York Times.
Më herët, CIA lajmëroi Izraelin për një sulm të mundshëm gjatë orëve në vijim, përmes një breshërie të madhe me raketa dhe dronë nga Teherani. Për këtë arsye, qeveria e Tel Avivit vendosi që të heqë plotësisht nga funksioni shërbimet GPS, pra hartën digjitale të adresave dhe rrugëve. Gjithashtu thirri rezervistët e mbrojtjes ajrore dhe anuloi lejet për ushtarët.
/a.r