Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas vendimit të Gjykatës së Hagës për dënimin e Radovan Karaxhiçit me 40 vjet burg për gjenocid në Srebrenicë, ka thënë se shteti i tij “nuk do të lejojë, nuk mund ta lejojë dhe nuk duhet ta lejojë njeri” që të përdor verdiktin ndaj ish-presidentit të Republika Srpska, Karaxhiç për ta sulmuar Republikën e Serbisë.
Këtë deklaratë, kryeministri serb e bëri gjatë homazheve në një memorial për përkujtimin e viktimave nga bombardimet e NATO-s në Varvarin.
“Serbia ka një obligim që të përkujdeset po ashtu edhe për njerëzit e saj jashtë kufijve. Po i paralajmëroj ata që do të mundohen që ta përdorin verdiktin ndaj ish presidentit serb për të sulmuar politikisht apo në ndonjë mënyrë tjetër Republikën e Serbisë, gjë të cilën në pajtim me Marrëveshjen e Dejtoni, Serbia nuk duhet, nuk mundet dhe nuk do ta lejojë”, ka thënë Vuçiç, transmeton KosovaPress.
Kryeministri serb ka theksuar se Serbia do të qëndroj me njerëzit e saj dhe do të mbrojë të drejtat e tyre për të mbijetuar, siç do të mbrojë edhe të drejtat e entitetit serb në Bosnjë dhe Hercegovinë për të ekzistuar dhe për të jetuar.
“Nuk po rrezikojmë askënd, nuk po kërcënojmë askënd, por nuk do të lejojmë njeri që të shtyp serbët vetëm për faktin që ata janë serbë”, ka thënë ai, duke shtuar se serbët janë të panënshtrueshëm, krenarë dhe njerëz të papushtueshëm.