Juristi Kreshnik Spahiu tha në një intervistë për Euronews Albania se protesta e zhvilluar sot para bashkisë edhe me mbështetjen e Rithemelimit nuk ka moral politik.
Sipas tij, ata që ishin në këtë protestë kanë probleme shumë të rëndë me Prokurorinë dhe po ndjekin dy standarde lidhur me qëndrimin ndaj SPAK.
“Nga kjo amnisti nuk përfitojnë ata që u ka shkuar fleta për prishjen e shtëpisë, ata që kanë dalë në protestë që janë përleshur me policinë, ndërkohë përfiton një zyrtar që ka pasur në dorë tenderët dhe ka bërë korrupsion pasiv.
Protesta para bashkisë ka moral vetëm në një rast politikisht, kur ata që dalin te zyra e Erion Veliajt të dalin edhe te zyra e Sali Berishës të protestojnë për arrestimin e tij, të dalin edhe te zyra e Edi Ramës, edhe te zyra e Ilir Metës për arrestimin e tij.
Në kohën kur para derës së Veliajt dalin gjysma që janë me dosje dhe kanë probleme serioze me prokurorinë më të mëdha se ai tenderi i drejtorit të sporteve, atëherë kjo protestë nuk ka moral, është vetëm një përplasje bandash, e një grupimi që në mbrëmje konsideron do e shkrijmë SPAK dhe në mëngjes i kërkon ndihmë SPAK-ut. Duhet ta ndajnë çfarë qëndrimi kanë për prokurorinë”, tha Spahiu./m.j