Presidenti Bujar Nishani dhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i kanë dënuar aktet e terroriste që tronditën Brukselin.
Pas homazheve dhe nënshkrimit në Librin e Ngushëllimeve për viktimat e akteve terroriste në Bruksel në zyrën e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Presidenti e quajti akt barbar, sulmin terrorist të disa ditëve më parë në aeroportin dhe metronë e Brukselit.
Sipas tij, këto akte, lëndojnë pa masë, po kurrsesi nuk mund të trembin civilizimin e Europës.
“Akte të tilla barbare nuk e pengojnë civilizimin e Evropës. Ne jemi të vendosur për të qenë krah aleancës për të luftuar terrorizmin”, tha Nishani.
“Konfirmova vendosmërinë e Shqipërisë për të qenë pranë aleancës Evropiane në luftën kundër terrorizmit, duke garantuar jo vetëm këtë angazhim por edhe shpirtin Evropian shqiptar. Dhimbja është një element që na bashkon të gjithëve por jemi të bindur për ta përballuar së bashku. Asnjë akt i tillë terrori nuk do të na lëkundë në frymën e civilizimit”, u shpreh ai.
Nishani garantoi se Shqipëria nuk rrezikohet nga asnjë sulm terrorist, dhe se Këshilli i Sigurisë është mbledhur për të ndarë informatat me aleatët për të vijuar luftën kundër terrorizmit. I pyetur për aktualitetin politik në vend, Presidenti Nishani tha se “roli i Presidentit është i mirëpërcaktuar në Kushtetutë dhe veprimtaria e tij në krye të shtetit do të ti përmbahet gjithnjë shinave të Kushtetutës”.
Në homazhe ishte i pranishëm dhe Kreu i Kuvendit, Ilir Meta.
Ai u shpreh se të bashkuar mund të mposhtim terrorizmin, teksa e cilësoi sulmin në Bruksel, si një sulm ndaj gjithë shoqërisë europiane.
“Sulmi terrorist në Bruksel është i papranueshëm. Ai godet të gjithë shoqërinë civile Europiane dhe u shfaq në zemër të Europës. Ne duhet të jemi të bashkuar për ta mposhtur terrorizmin”, u shpreh Meta në të dalë të homazheve.