Këshilli i Mandateve do të mblidhet të hënën, ku do diskutohet për mandatin e deputetes së PS Olta Xhaçkës për të vijuar procedurën në lidhje me këtë çështje.
Ka qenë kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla që ka konfirmuar në konferencën e kryetarëve se Këshilli i Mandatit për Xhaçën do të mblidhet të hënën. Mbledhja do të zhvillohet pas kërkimit të deputetit të PD, Gazment Bardhit.
“Në shkelje të kushtetututes ju si kryeparlamentare dhe si mazhorancë po refuzoni të zbatoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Keni nxjerr justifike absurde nga janari i vitit 2023 e deri më sot. Kjo praktik e Gjykatës Kushtetuese, është praktik e njohur por ju bëni sikur nuk e kuptoni dhe e zvarrisni. Doni ta ktheni edhe një here tek këshilli i mandateve ku vendimet e këtij këshilli kanë qenë subjekt i shqyrtimit ne Kushtetuese”, tha Bardhi.
Kujtojmë që deputetët e Partisë Demokratike pretendojnë se Xhaçka ka shkelur Kushtetutën duke përfituar nga pasuritë publike, pasi bashkëshorti i saj fitoi statusin “investitor strategjik” dhe të drejtën për përdorimin e bregdetit para hotelit që do të ndërtojë në jug të vendit.
Kompania e Gaçit, ish-deputet i Partisë Socialiste, mori në mars të vitit 2021 statusin ‘investitor strategjik’ për ndërtimin e një hoteli me pesë yje dhe me kapacitet prej 106 suitash në Dhërmi, të quajtur “Dreamades Luxury Suites”.
Statusi “investitor strategjik” parashikon përfitime publike për fituesin, reduktim të TVSH-së, procedura të përshpejtuara administrative, akses në infrastrukturë dhe rrjetin elektrik, si dhe përdorimin e tokës shtetërore si plazh para hotelit.
Kujtojmë që kohë më parë edhe Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin e arsyetuar për mandatin e Xhaçës.
Kushtetuesja ka theksuar se Kuvendi duhet në çdo rast të votojë pro dërgimit në gjykate të çështjeve, që lidhen me mandatin e deputetit. Sipas gjyqtarëve, Parlamenti duhet të miratonte kërkesën e opozitës për mandatin e Olta Xhaçkës dhe më pas vendimi i takon Gjykatës Kushtetuese.
Kështu që Kuvendi duhet të mblidhet që të votojë edhe njëherë kërkesën e deputetëve demokratë dhe t’ia çojë kushtetueses, e cila vendos nëse Olta Xhaçkës duhet t’i hiqet apo jo mandati i deputetit.
/a.r