Shqipëria është Toka e Shqiponjave, ku do të zbuloni një ndërthurje ngjyrash të ngrohta dhe aromash të lashta. Bunkerët do të shoqërojnë udhëtimin tuaj kudo nëpër Shqipëri, një çelës për të kuptuar vendin kompleks, të ndarë mes një të kaluare të dhimbshme dhe një moderniteti që projekton qendra të reja urbane me rrokaqiejt dhe dritat festive të qyteteve bregdetare, sipas të përditshmes italiane “TgTourism”.
Një vend krenar në zhvillim, i cili manifestohet me numrin e vendeve turistike që janë më të qëndrueshme vit pas viti.
Interesi në rritje për Shqipërinë konfirmohet falë potencialit të saj të madh dhe bukurisë natyrore ende të paeksploruar, të ndërthurura me çmime të përballueshme.
Si të shkoni në Shqipëri? 470 kilometrat e bregdetit shqiptar tërheqin çdo vit e më shumë turistë gjermanë, polakë, francezë dhe të Europës Veriore.
Italianët janë të parët për sa i përket frekuentimit (rreth 436 mijë në 2018, 20% më shumë).
Simboli i shqiponjës së zezë dykrenare, flamuri i Shqipërisë në një sfond të kuq: njëra kokë nga Lindja, tjetra nga Perëndimi, duke parë Romën dhe Konstandinopojën është përgjigja pse plazhet janë të populluara.
“Është e pamundur të mos kopjosh Italinë, por ne nuk duam të bëjmë gabimet tuaja”, tha më herët kryeministri Edi Rama, duke përshkruar ndërgjegjësimin e dëshirës për të korrur avantazhet e një mundësie turistike që më në fund ka ardhur, por edhe duke parë rreziqet.
Nga Italia, “Adria Ferries” garanton rrugë detare nga Trieste, Ankona, Bari në Durrës.
Udhëtimi me automjet është më tërheqes në Tokën e Shqiponjave.
Çfarë të shihni në Shqipëri? Plazhet dhe qytetet e lashta
Rrugës për në gjirin e Vlorës – i cili ishte kryeqyteti i parë, Tirana ka qenë që prej vitit 1920 – do të admironi plazhet me rërë dhe një nga dhjetë zonat e mbrojtura të vendit.
Vendi mesdhetar ka 15 parqe natyrore dhe mbulon shumë zona malore, një sektor turistik në të cilin qeveria aktuale synon të fokusohet.
Ndër plazhet më të rëndësishme në jug të Vlorës, ku deti Adriatik takohet me detin Jon, janë Ksamili, Orikumi, Himara deri tek perla e vogël e Sarandës; në veri Velipoja dhe Shengiini; në qendër, përveç Durrësit ndodhen gjiri i Lalezit, Mali i Robit dhe Spilleja.
Por rruga është e mbushur me xhevahire si qyteti antik i Beratit, një vend i trashëgimisë së UNESCO-s, “qyteti i një mijë dritareve”.
Lagjet e fortifikuara të shtëpive, kishave dhe xhamive të lashta prej guri, Berati përfaqëson ende një shembull të tolerancës shekullore dhe të bashkëjetesës paqësore mes të krishterëve dhe myslimanëve.
Ura e Goricës, 127 metra e gjatë e epokës osmane, mbi lumin Osum, lidh lagjet e Goricës dhe Mangalemit.
Ku të shkoni në Shqipëri? Vlora
Bregu i Vlorës ofron, përveç shëtitjeve të bukura, eksperienca të paharrueshme kulinare.
Rekomandohet një udhëtim me varkë rreth gadishullit të Karaburunit, i futur në Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan, si një destinacion shumë i dashur nga adhuruesit e zhytjeve, shpellave dhe gjireve të pacenuara.
Nuk duhen humbur gjithashtu plazhet në zonën e Orikumit, 20 km në jug të Vlorës. Ekskursioni nga Vlora në Sarandë është shumë i bukur.
Vizitoni zonën arkeologjike të Apolonisë, për nder të tempullit të perëndisë Apollon, nga i cili kanë mbetur një pjesë e rrënojave.
E themeluar në 588 para Krishtit. nga kolonistët grekë nga Korfuzi i sotëm, Apollonia ishte një port i rëndësishëm, gjithashtu edhe pikënisja e Via Egnatia.
Ajo u bë një koloni romake, e përfshirë në provincën e Epirit. Perandori romak Oktaviani studioi atje në vitin 44 para Krishtit dhe pikërisht këtu mësoi lajmin se njerku i tij, Çezari, ishte vrarë.
Bunkerët në Shqipëri
Nuk mund të largohesh nga Shqipëria pa u zhytur në një nga bunkerët e saj klaustrofobik.
Ai në qendër të Tiranës, jo shumë larg sheshit Skënderbej, ia vlen të vizitohet.
Është një nga më të mëdhenjtë, antisizmik dhe antiatomik, që fsheh një tunel të lidhur drejtpërdrejt me Ministrinë e Brendshme.
Ai përfshin, përveç dhomave të shumta për ushtarët dhe pajisjet e mbrojtjes, dhomën e punës dhe dhomën e gjumit të ministrit, si dhe disa qeli dhe dhoma torturash.
Gjeniu i arkitekturës dhe dizajnit italian duket qartë në Pallatin e Mbretit në Tiranë.
Pallati i fundit mbretëror i ndërtuar në Evropë, i vetmi në të cilin një mbret nuk ka fjetur kurrë.
Gherardo Bosio dhe arkitektë të tjerë të shkollës Giò Ponti punuan për ndërtimin e pallatit, 1250 metra katrorë të rrethuar nga 75 hektarë pyje dhe mobilimi elegant.
Durrësi
Durrësi ruan gjithashtu mbetje romake, mure dhe një amfiteatër në qendër të qytetit.
Qyteti bregdetar ofron perla të kuzhinës me pamje nga porti, bulevardet e mëdha me pemë dhe rrugët tregtare.
Tirana
Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë që nga viti 1920. E themeluar në vitin 1614, ajo është sot qendra ekonomike, financiare, politike dhe tregtare e Shqipërisë. Për më tepër, ajo është shtëpia e disa institucioneve publike dhe universiteteve.
Çfarë duhet të bëni në Tiranë? Vizitoni xhaminë e Et’Hem Beut, Kullën e Sahatit
Udhëtimi juaj mund të fillojë duke vizituar muzetë dhe pamjet kryesore si Sheshi Skenderbej, Xhaminë e Et’Hem Beut – e ndërtuar midis 1798 dhe 1812- dhe Kullën e Sahatit 35 metra të lartë – e ndërtuar në 1822.
Vizitoni Muzeun Kombëtar
Për të mësuar mbi historinë e shqiptarëve, ky është vendi që duhet vizituar.
Muzeu Historik Kombëtar është muzeu më i rëndësishëm i Shqipërisë dhe përmban një histori të mirë-dokumentuar të vendit.
Muzeu është i ndarë në tetë pavijone: Antikiteti, Mesjeta, Rilindja, Pavarësia, Ikonografia, Lufta Nacionalçlirimtare, Antifashizmi, Terrori Komunist dhe Nënë Tereza.
Pavioni i Terrorit Komunist ofron pamje, dokumente dhe video të persekutimit të pësuar nga shqiptarët gjatë regjimit.
Bunk’Art2
Faza e një projekti që synon ruajtjen e kujtesës së epokës komuniste, i ndërtuar nga Enver Hoxha në periudhën komuniste, tashmë muze dhe atraksion turistik.
Bunk’Art2 përbëhet nga 24 dhoma që shtrihen në një sipërfaqe mbi 1000 m2. Disa dhoma rikrijojnë atmosferën e asaj periudhe historike, ndërsa të tjera pasqyrojnë instalacione artistike të frymëzuara nga kjo epokë.
Kalaja e Tiranës
Kalaja e Tiranës ndodhet në qendër të qytetit, në pronësi të familjes Toptani, një nga familjet më të pasura në Shqipëri dhe Ballkan. “Pazari i Vjetër” i kalasë është xhevahiri më i fundit i shtuar në Tiranë, ku bashkohen modernja me traditën.
“Pazari i Ri”
Pazari i Ri është një lagje në Tiranë, Emri i lagjes vjen nga tregu ushqimor, i cili ndodhet në zonë. Ndodhet në lindje të rrugës qendrore. Pazari i Ri është pjesë e qendrës historike të Tiranës dhe një nga zonat më të vjetra të qytetit.
ATSH