Qëndrimet gjeopolitike të Shqipërisë në arenën globale prodhuan sulme kibernetike ndaj bankave në vend. Në këtë përfundim del Banka e Shqipërisë në raportin e vitit 2023, duke i cilësuar përpjekjet për ndërhyrje në rrjetet kompjuterike të sistemeve bankare si “të vazhdueshme dhe të përshkallëzuara.”
“Gjatë vitit 2023 mund të veçojmë sulmet e mohimit të shërbimit të vërejtura gjatë tremujorit të tretë, të cilat kanë pasur si shënjestër edhe bankat e nivelit të dytë, me qëllim ndërprerjen e shërbimeve të ofruara nga faqet e tyre të internetit. Ndërsa në tremujorin e katërt të vitit 2023 kemi disa tentativa për smishing”, thotë Banka e Shqipërisë.
Veç sulmeve kibernetike nga jashtë, sistemi bankar dhe më konkretisht zotëruesit e llogarive në to janë përballur me një formë të re kërcënimi, atë të përpjekjeve për vjedhjen e të dhënave apo klonimin e kartave bankare: “Me qëllim përditësimin e kuadrit rregullator me zhvillimet e sigurisë së informacionit dhe përmirësimin e proceseve mbikëqyrëse, Banka e Shqipërisë po vijon me procesin e rishikimit të kuadrit rregullator sipas standardeve dhe praktikave më të mira të Bashkimit Evropian.”
Sipas Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, gjatë vitit të shkuar pati mbi 1 milionë sulme kibernetike ndaj qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve publike shqiptare.
/a.r