Bashkia e Tiranës ka mundur të mbaj nën kontroll situatën në të gjithë territorin e saj, duke i ardhur në ndihmë banorëve dhe duke shmangur përmbytjet dhe pasojat e shirave me intensitet të lartë që ranë gjatë natës deri në orët e para të mëngjesit.
Ndërmarrjet e Bashkisë kanë ndërhyrë gjatë natës në disa zona që kanë shfaqur probleme, kryesisht në pjesën rurale të bashkisë.
Më konkretisht punonjësit dhe mjetet e rënda të bashkisë kanë ndërhyrë gjatë natës në zonat e Dajtit, Zalldajtit dhe Zallbastarit duke përforcuar argjinatura dhe urat në pjesë të ndryshme më problematike të këtyre zonave.
Gjithashtu është ndërhyrë edhe në pastrimin e kanaleve përgjatë rrugëve akseve rurale, duke i mbajtur ato të hapura për rrjedhjen e ujërave të shiut. Për rrjedhojë situata emergjente ka kaluar pa pasoja për banorët e këtyre zonave.
Ndërkohë që në pjesën urbane, shirat kanë sjellë prezencë të ujerave në rrugë në rrugët “Don Bosko”, “Medar Shtylla” dhe në Kombinat. Por falë pastrimit të pusetave dhe ndërprerjes së reshjeve situata nuk ka qenë problematike për qytetarët.