Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka propozuar ndryshime në Kodin Rrugor, në lidhje me përmasat apo peshën e automjeteve që lejohet të qarkullojnë. Sipas relacionit shoqërues, ndryshimet synojnë përmbushjen e përputhshmërinë me Direktivat e Bashkimit Evropian, pasi aktualisht konstatohen ndryshime në vlera.
“Vendosja e standardeve të kërkuara nga direktiva evropiane në lidhje me peshat dhe dimensionet, si standarde gjerësisht të përdorura në vendet e BE-së do të përmirësojë konkurencën dhe zbatimin e ligjit midis operatorëve të transportit profesional me mjete të rënda si dhe një siguri rrugore të shtuar të këtyre mjeteve dhe ndotje mjedisore më të pakët”, – thuhet ndër të tjera në relacion.
Aktualisht, Kodi Rrugor shqiptar përcakton se çdo mjet rrugor, duke përfshirë edhe ngarkesën e tij, duhet të ketë: gjerësi maksimale jo më të madhe se 2.55 m, lartësi maksimale jo më të madhe se 4 m dhe 4.3 m për autobusët dhe trolejbuset e destinuar për linjat e shërbimeve publike, si dhe gjatësi 7.50 – 12 m sipas numrit të akseve të mjetit. Kodi vendos kufizim edhe për rimorkiot, si dhe për peshën që duhet të ketë çdo mjet transporti.
Ndërkaq, sipas ndryshimeve të propozuara nga Ministria e Infrastrsukturës dhe Energjisë, kufizimet hiqen nga Kodi Rrugor dhe përcaktohen me vendim qeverie, qe do të duhet të dalë menjëherë pas miratimit të Kodit të ri. Kjo bëhet për arsye se, përmasat gabaritë të automjeteve janë subjekt përditësimi të vazhdueshëm i direktivës evropiane dhe se këto përditësime do të bëheshin më mirë përmes Vendimit të Këshillit të Ministrave. Ndryshimet e propozuara nuk prekin mjetet jashtë norme dhe transportet në kushte jonormale./m.j