Nga Edison Ypi
-E di për çfarë do më pysësh. S’je i pari që habitesh me mua dhe punën time. Këto 7 makina nuk i kam nxjerrë për ti shitur, siç tu dukën gabimisht. Do ja jap me qera turistave që pas pak do vinë me miliona dhe mezi po i pres. Tu pa vjet gjithata turista nëpër Tiron, nuk u besojsha syve dhe veshve. O Zot shyqyr që erdhi kjo ditë që e kam prit gjith jetën me ankth…
Sapo i isha afruar gardhit anës rrugës brenda të cilit ndodheshin 7 makina, jo të reja, por të pastra të rregullta të vendosura në pozicione që të dukeshin sa më mirë nga rruga. Vendi ku rrinin makinat, gjithashtu i sistemuar për bukuri. Mu duk se ato makina vendosur me kujdes të veçantë, ishin në shitje, dhe u afrova. Jo për t’i blerë. E kam një makinë. Për tu kënaqur duke i parë nga jashtë gardhit. Entuziasti i papërmbajtur i pronës private dhe iciativave kapitalistike, “qeni lekut” dhe “gomari punës” që më pa nga larg, s’më la ta hapja gojën. Më sulmoi me një rrebesh fjalësh. Më hutoi krejt. Më bëri ta humb mendjen si Xhaferri simiten. J’u nënështrova me kënaqësi ligjëratës së tij të zjarrtë në mbrojtje të punës, pronës, kapitalizmit, biznesit. E lashë të vazhdojë. Nuk e pengova fjalimin paksa naiv por tmerrësisht të sinqertë në mbrojtje të pronës dhe iniciativës nga një llërëpërveshur që pas një jete plot taksirate, më së fundi, ja niu lezetin…
-…Vjet kisha 3 makina. Dy Benza, 1 Fiat. Jo të reja. Me shumë kilometra. I pata ble lirë me kursimet që pata. I mbaja në oborr të shpis. Fitova diçka. Jo kushedi se çfarë. Bereqaves. Sivjet kam shtu 4 të tjera. 2 Opela, 1 Toyota Land Cruiser, 1 Jeep Wrangler. Opelat dhe Toyotën m’i solli një shok nga Gjermania. Jeep-in një kushuri nga Amerika. Borxh, natyrisht. Por me kushte të mira. Nuk më shtrëngojn. Me kismet, pas nja dy vjet pune do ja kem la borxhin. Mos u habit me laryshinë e markave të makinave. Qefet e turistave jan turlilloj. Dikush që do me ik nëpër qytete, merr makinë të vogël. Dikush tjetër që ikën nëpër male, merr Wrangler. Të ndryshme jan kërkesat e turistave, të ndryshme janë dhe makinat e mia. Duhet me i respektu preferencat. Iherpëriher s’ja kam takatin me rreshtu ktu nja 100 Mazda të reja flak me i çmen të gjithë, me lon nom, si i thon fjalës. N’kohën e qepës ke ofiçina ku bojsha sikur punojsha kena pas vetëm 1 çels heksagon 13. Merre me men ça përparimi kolosal. Nga 1 çelës 13-ç për 200 zhulsa që kishte ofiçina, te 7 makina vetëm për mua. U bo bytha ime me gjith kto makina. Që të kem dhe të tjera, duhet me i majt në gadishmëri kto që kam. Më përpara majshim në gadishmëri topat që do gjujshim venet perëndimore. Bota me rrota. Tani majm në gadishmëri makinat e po atyre vendeve perëndimore. Veç i gjo duhet me dit: Nuk osht kollaj me i shërby makinave. Kom i shok që ka torno ke bodrumi shpis. Un pres me më pru bota turista. Shoku im te bodrumi pret prej meje vegla të dëmtuara me i riparu ose me i bo të reja. Fitoj unë, fiton dhe shoku. Do nimojm njonitjetrin. Po edhe Shteti duhet me na nimu ka i çik. Nuk jam prej hajvanve që i bishtnojn taksave. Un dhe shteti nuk i hym n’hak njonitjetrit. Secili hisen e vet. Un i paguj Shtetit taksat. Shteti kujdeset me ma mirmbajt mua rrugën, ndriçimin, trotuaret, ujin, korentin, dhe shërbime të tjera. Shyqyr thuj që nuk jom fort larg aeroportit. Turistat më gjejnë kollaj. Nuk e di pse kam qef turistat spanjoll. I kom thon çunit me më tërhek sa më tepër spanjoll me anë të Internetit. Edhe italianët s’janë keq. Jena rrit me Çelentano, Ornella Vanoni, Nicola di Bari. E di përmeç “Non esiste l’amor”. E knoj dhe e fëshkëllej tu ik rrugës. Më pëlqen qamet ai vargu: “E una storia ridicola”. Un makinën, një tjetër hotelin, tjetri restorantin, e kështu me rradhë. Të gjithë të kordinu me njonitjetrin. S’kemi me i majt n’prehën. Kaq osht turizmi. Po ja bom kto, jemi m’rregull. Për Internetin, kërkesat, datat, çmimet, konkurrencën, etj. kom çunin, merret çuni, i qan çuni ato pun. Luaj mendsh kur mendoj sa i dobishëm dhe i bukur është ky bashkëpunim. Si thu, a t’i quj “Flotë” kto makinat që kam, apo duket sikur po shes pordhë ? Tanipërtani jo. Jan pak. Osht heret. Më vonë kur të kem mbi 200 makina, t’gjitha t’reja, t’gjitha t’miat, atëhere do e meritojnë me u qujt “Flotë”. Ndërkohë, si Qen i Lekut që jam, me ja bo i çik qefin edhe flotës së idiotave që notojnë në oqeanin e budallallëkut etimologjik, për me emërtu biznesin tim të ardhshëm të lavdishëm, po bashkoj Par-et që do i fitoj, me King që jam, dhe ja ku, si një Gjon Buzuk modern, me gërma të zjarrta që ta shofin qorrat, dhe muzikë buçitëse që tu vijë zëri shurdhave, po e pagëzoj “Parking”.
Qeni i Lekut
Apo…
Leku i Qenit ?
Si thua o Yp ?
Të dyja, me Qen janë.