Qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë po trokasin edhe më shpesh në banka këtë fillimvit. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se huamarrja vijoi vrullshëm edhe në shkurt, me mbi 29,3 miliardë lekë të dhëna nga 11 bankat në vend.
Në krahasim me shkurtin e një viti më parë, kredia e re për të njëjtën periudhë të këtij viti u zgjerua me mbi 10 miliardë lekë apo 52,5%.
Selim Blliku, ekspert për çështjet ekonomike, shprehet për A2 CNN: “Arsyeja kryesore siç është shprehur edhe Banka e Shqipërisë lidhet me kreditë hipotekore për blerje të pasurive të paluajtshme. Ky është sektori kryesor ku po investohet. Ka një rritje gati 7-fish në raport me periudhat e mëhershme”.
Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA, thekson: “E gjithë kjo vjen pasi sektori bankar po e konsideron të sigurt kredidhënien për apartamente të reja. Gjithashtu, ka ndikuar edhe fakti që sistemi bankar ka sot mjaftueshëm likuiditet.”
Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se muajin e shkuar qytetarët shqiptarë morën gati 8 miliardë lekë kredi. Më shumë se 3 miliardë prej u kërkuan pikërisht për blerje banesash.
Pipiria shton: “Ajo që vihet re është se ndryshe nga vitet e mëhershme, tani qytetarët shqiptarë kredinë për blerje banese po e marrin në lekë dhe jo më në valutë të huaj.”
Me ritme edhe më të shpejta se qytetarët, për të hapur biznese të reja apo zgjeruar ato ekzistuese, sipërmarrësit morën mbi 21 miliardë lekë kredi gjatë shkurtit. Në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë, kredia e re e dhënë nga bankat për bizneset u zgjerua me gati 73%.
Selim Blliku, ekspert për çështjet ekonomike, deklaron: “Ritmet e kredisë të re te individët janë domethënëse, por është biznesi ai që mbart peshën kryesore në aktivitetin kreditues. Biznesi, veçanërisht ai i orientuar drejt turizmit, është shumë optimist.”
Zgjerimi i kredimarrjes për qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë pritet të vijojë me ritme edhe më të shpejta në vijim. Kjo pasi rikthimi i inflacionit në vetëm 2,6% muajin e shkuar ka prodhuar sinjale për një zbutje të mundshme të normave të interesit nga Banka e Shqipërisë. Kjo do të bënte që kredia të ishte më e lirë, duke joshur më shumë qytetarë e sipërmarrës të trokasin në banka.
A2News /a.r