Pas Britanisë së Madhe, Turqisë dhe Arabisë Saudite, Shqipëria kërkon më shumë investime dhe nga Çekia. Për të ndërtuar sa më shumë ura lidhëse mes dy vendeve, në Tiranë u zhvillua forumi i Biznesit Shqipëri-Çeki.
“Për investitorët dhe sipërmarrësit çekë, Shqipëria ofron një potencial të larmishëm mundësish, në një gamë të ndryshme sektorësh. Pozicioni ynë gjeografik strategjik na vendos në hyrje të tregjeve të Rajonit, aty ku ato kryqëzohen me Europën duke na ofruar qasje në një treg me mbi 300 milionë konsumatorë. Po ashtu fuqia e re punëtore, bashkë me kostot e ulëta përbëjnë një mundësi të madhe për investitorët që duan të jenë të pranishëm në Rajon.”, thotë Blendi Gonxhja, Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Teksa parashtroi argumentet se pse duhet investuar në Shqipëri, Drejtoresha e Agjencisë për Nxitjen e Investimeve, Laura Plaku garantoi sipërmarrësit çek për një “klimë të favorshme biznesi.
“Ky është një momentum për Shqipërinë në drejtim të investimeve. Ndaj gjej mundësinë që të kapni mundësinë dhe të investoni në Shqipëri. Kuptoj nevojën që keni për të qenë të qartë, madje edhe ngurrimin që mund të pengojë investimet tuaja. Dua t’iu siguroj se Shqipëria është e përkushtuar për të përmirësuar klimën e biznesit, të jetë miqësore me këto të fundit dhe mbi të gjitha të garantojë “mbrojtjen e investimit”. Ka shumë potencial veçanërisht për investime te energjia, turizmi, bujqësia apo manifaktura.”, thotë Laura Plaku, drejtoreshë ekzekutive e AIDA.
Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vitin e shkuar kompanitë çeke investuan gati 21 milionë euro në Shqipëri. Në raport me 2022-shin, investimet çeke u tkurrën me gati 15 milionë euro, por duke mbetur gjithsesi në nivele më të larta se vitet e mëhershme. Ministri çek i Industrisë dhe Tregtisë shprehu gatishmërinë që shifra të rritet në vijim.
“Republika Çeke dhe Shqipëria kanë marrëdhënia të ngushta ekonomike dhe politike. Të dy shtetet kanë përqafuar orientimin euro-atlantik. Të dy vendet janë anëtare të NATO dhe shpresoj që shpejt të jeni anëtarë të Bashkimit Europian. Besimi mes kompanive në dy vendet tona është arritur, ndaj bashkëpunimi duhet çuar përpara. Shqipëria po rritet dhe kompanitë çeke janë të gatshme të kontribuojnë në rritjen e saj ekonomike.”, deklaron Jozef Sikela, ministër i Industrisë dhe Tregtisë në Republikën Çeki.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se Shqipëria dhe Çekia po shkëmbejnë më shumë mallra me njëra-tjetrën. Importet dhe eksportet mes dy vendeve kapën shifrën e më shumë se 170 milionë eurove vitin e shkuar.
/f.s