24 mars 1999. Në kryeqytetin serb Beograd, dëgjohen sirenat e para. Ato paralajmërojnë fluturimin e aeroplanëve ushtarakë të NATO-s mbi qellin e Serbisë.
Pak para orës 21:00, dëgjohet një shpërthim i fuqishëm në fabrikën e aeroplanëve “Lola Utva”, në Pançevë të Serbisë. Flaka dhe tymi mbulon këtë lokacion në periferi të Beogradit, duke shënuar fillimin e një fushate 78-ditore të bombardimit të Jugosllavisë.
Sulmet kishin 3 objektiva kryesore: Mbrojtjen ajrore jugosllave, sistemet e komandës dhe kontrollit dhe forcat ushtarake serbe të dislokuara në Kosovë.
Bombardimet vijuan pothuaj çdo ditë për t’u ndërprerë më 10 qershor, ditë kur OKB-ja miratoi rezolutën 1244 që parashikonte vendosjen e një administrate ndërkombëtare në Kosovë.
Ushtria serbe tentoi t’u kundërpërgjigjej sulmeve ajrore të NATO-s. Sipas dokumenteve, brenda Kosovës u përdorën sistemet individuale me rreze më të gjatë për të qëlluar në aeroplanët e NATO-s në një mënyrë të paparashikueshme.
Të përballura me sulme intensive nga ajri, trupat ushtarake serbe mundoheshin që gjatë fushatës së bombardimeve t’i hutonin pilotët e NATO-s. Ata bënin kamuflime të ndryshme për të fshehur objektivat taktike, si automjetet ushtarake, dhe objektet fikse, si urat. “Përveç kësaj, serbët përdorën mashtrime….për të krijuar një sërë objektivash false”, thuhet në një raport të NATO-s për bombardimet.
Pas përfundimit të Operacionit, NATO bëri një bilanc të sulmeve nga ku rezultuan objektiva të shkatërruara ose të dëmtuara siç ishin:
11 ura hekurudhore, 34 ura autostrade, 29 për qind e të gjithë depozitimit të municionit serb, 57 për qind e rezervave të naftës, të gjitha rafineritë jugosllave të naftës, 14 poste komanduese, mbi 100 avionë dhe 10 fusha ajrore ushtarake.
Por, bombardimet e NATO-s nuk ishin gjithmonë të sakta. Ato shkaktuan rreth 520 viktima edhe në mesin e civilëve, si në territorin e Kosovës, po ashtu edhe në Serbi. Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s.