Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e përshkroi 24 marsin e vitit 1999 si ditë të shpresës së madhe për Kosovën, teksa rikujtoi nisjen e bombardimeve të NATO-s mbi pozicionet policore e ushtarake në ish-Jugosllavi.
“Njëzet e katër marsi ishte vërtet ditë e shpresës së madhe, sepse për herë të parë, aleancat e botës demokratike u bënë bashkë për të parandaluar shfarosjen e popullit të Kosovës nga regjimi i atëhershëm gjenocidal i Sllobodan] Millosheviqit, dhe së bashku me shumë e shumë shtete të tjera partnere arritëm që Kosova më në fund të bëhet e lirë”, u shpreh Osmani
Presidentja i bëri këto deklarata pas homazhe te memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s për lirinë e Kosovës, i cili gjendet te Sheshi Nëna Terezë në Prishtinë, ku të pranishëm ishin dhe disa nga ambasadorët e vendeve perëndimore.
Osmani falënderoi gjithashtu ushtarët e NATO-s që rrezikuan jetën e tyre në mënyrë që ta shpëtojnë atë të civilëve kosovarë.
“Dua t’i falënderoj të gjithë liderët e botës demokratike që nuk i mbyllën sytë para vuajtjeve të popullit të Kosovës, por na dolën zot, na erdhën në shpëtim dhe edhe sot qëndrojnë pranë nesh, përderisa punojmë bashkërisht që Kosova e sotme të jetë Kosovë që do t’i bëjë, jo vetëm qytetarët, por edhe miqtë e saj, që të mburren me sukseset në zhvillimin e demokracisë”, shtoi Osmani.
/a.r