SPECIALE JAVANEWS/ A është Prokuroria Speciale një zgjidhje e ndërmjetme mes PS-së, LSI-së dhe PD-së, që lidhet indirekt me varësinë e Byrose Kombëtare të Hetimit? Ndonëse në mënyrë të hapur këto tre forca politike nuk e kanë dashur një zgjidhje të tillë, duket se tashmë janë të shtrënguara ta pranojnë atë. Sidomos pas opinionit final të Venecias.
Kjo zgjidhje ka qenë pak a shumë e detyrueshme, po të kihet parasysh fakti se PS kërkonte që Byroja e Hetimit të ishte në varësi të Ministrisë së Brendëshme, ndërsa PD dhe LSI kërkonin që ajo të mbetej në varësi të Prokurorit të Përgjithshëm. Në këtë përballje duket se ka fituar një pozicion më i ndërmjetëm, por që në thelb duket se asnjë prej këtyre forcave politike nuk e ka dashur.
Por çfarë është Prokuroria Speciale, pjesë e së cilës tani do të jetë edhe Byroja Kombëtare e Hetimit?
Duke u bazuar në draftin e Reformës në Drejtësi, Prokurori i Përgjithshëm ruan disa prej kompetencave në organizimin e punës së prokurorëve, por ai nuk do të ketë asnjë rol mbi strukturën e posaçme Antikorrupsion (Prokuroria Speciale) një hallkë kjo e rëndësishme e reformës, e cila synon të hetojë zyrtarët e lartë të shtetit, funksionarët publikë, gjyqtarët, prokurorët dhe krimin e organizuar. Kjo strukturë parashikohet të përbëhet nga zyra e Prokurorisë dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, anëtarët e së cilave do të kenë një mandat 10 vjeçar. Personeli i kësaj strukture do t’i nënshtrohet verifikimit të pasurisë dhe figurës, kontrolleve periodike të llogarive bankare dhe transaksioneve financiare, si dhe të telekomunikimeve të tyre apo të familjarëve.
Struktura Antikorrupsion do të ketë një buxhet më vete, ndërkohë që pas mbarimit të mandatit, anëtarët e saj do të kenë të drejtën të emërohen në postet e mëparshme apo në pozicione më të larta. Struktura e Posaçme Antikorrupsion e Prokurorisë (Prokuroria Speciale), do të ketë si mision të qartë që të përfaqësojë akuzën kundër gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve të lartë në Gjykatën Antikorrupsion. Këta prokurorë përcaktohen si të pavarur, madje edhe nga Prokurori i Përgjithshëm, dhe do të seleksionohen e trajnohen nga prokurorë amerikanë në Uashington.
Në ndihmë të tyre do të jetë Byroja Kombëtare e Hetimit (një polici gjyqesore speciale), anëtarët e së cilës do të seleksionohen dhe trajnohen nga FBI-ja në Kaliforni. Natyrisht që edhe financimi, rreth tetë milion USD, është sërish amerikan. Është pikërisht ky status i kësaj strukture që u ka futur frikën shumë politikanëve, gjyqtarëve e prokurorëve, ndaj kanë bërë çmos që të minimizojnë rolin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke u përpjekur ta fusin “nën sqetullat” ku mendonin se kanë ende influencë.
Armand Meta