Ilir Beqaraj, i arrestuar për atentatin ku u vra Gentjan Bejtja brenda serës në oborrin e shtëpisë në Larushk, ishte transportuesi i 4 atentatorëve. Hetuesit tashmë janë të bindur se nuk ka qenë ai në grupin e qitësve që gjetën hapur derën kryesore të oborrit dhe ekzekutuan Gentjan Bejtjen.
Ilir Beqaraj, i njohur ndryshe dhe si Ilir Brahimi apo Mançellari, mbërriti me makinën “Golf” pa targa vetëm pak sekonda pasi atentatorët kishin ardhur në fshatin Hasan dhe po digjnin automjetin. Pas kësaj, të pestë u nisën në drejtim të Bubqit për t’u arratisur.
Nga ana tjetër, policia shkencore ka konkluduar se nga katër kallashnikovë, tre prej tyre derdhën 31 plumba në drejtim të viktimës, 43-vjecarit Bejtja. Sa I përket makinës Golf të dërguar në laboratorin shkencor, hetuesit kanë gjetur gjurmë të ndryshme ekzaminimi I të cilave kërkon kohë për të bërë të mundur identifikimin e autorëve që mendohet se janë me pagesë.
Ndërkohë, pronari i automjetit tip golf, Edison Haxhiu akuzohet për sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje. Deri më tani të arrestuarit nuk kanë dhënë dëshmi për hetuesit, por që provat biologjike të gjetura në automjet mund të çojnë në zbardhjen e vrasjes. Të mërkurën Gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për të dy, Beqarajn dhe Haxhiun.
/f.s