Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka urdhëruar ndalimin e importit të kafshëve të gjalla, mishit të derrit, nënprodukteve të tij apo të shpendëve dhe nënprodukte të tyre nga 6 vende të ndryshme, pas shpërthimit të murtajës dhe gripit në këto shtete.
Sipas urdhrave të publikuar në Fletoren Zyrtare pas shfaqjes së murtajës afrikane të derrave në Ukrainë dhe Maqedoninë e Veriut ndalohet importi dhe tranzitimi për në territorin e Shqipërisë i të gjitha kafshëve të gjalla të llojit derra të butë dhe të egër, produkteve të tyre, materialit biologjik dhe embrioneve të derrave, si dhe e mishit të freskët dhe nënprodukteve të tij.
Vendimi shoqërohet edhe me tabelën sipas zonave të infektuara të Ukrainës dhe Maqedonisë së Veriut, nga të cilat ndalohet importi. Gjithashtu, vendimi përfshin kushtet që duhet të plotësojnë këto produktet që nuk iu përkasin këtyre zonave për t’u lejuar të futen në territorin shqiptar e që duhet të jenë të pasqyruara në certifikatën veterinare.
Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, lejohet importi dhe tranzitimi për në Shqipëri i kafshëve të gjalla të llojit derra të butë dhe të egër dhe nënprodukteve të tyre nëse certifikata shëndetësore veterinare vërteton se kafshët: a) nuk kanë shfaqur shenja klinike të murtajës afrikane të derrave ditën e dërgesës; b) janë mbajtur që nga lindja ose për tre muajt e fundit në një kompartament (zonë) pa prezencë të murtajës afrikane të derrave; ose c) janë mbajtur në një stacion karantine, të izoluar për 30 ditë përpara dërgesës dhe i janë nënshtruar një testi virologjik dhe një testi serologjik të kryer të paktën 21 ditë pas hyrjes në stacionin e karantinës, me rezultate negative.
Po ashtu, është ndaluar importi i shpendëve të gjallë shtëpiakë, zogjve 24 orësh, shpendëve dekorativë, vezëve të shpendëve, mishi i shpendëve të patrajtuar termikisht dhe nënprodukte të shpendëve të patrajtuara termikisht nga katër vende.
/a.r