Në një intervistë për Top Channel Ndihmës-Sekretari i Shtetit për Narkotikët dhe Ligjzbatimin Todd D. Robinson, u ndal te puna e SPAK. Ai shprehu vlerësime për punën e prokurorëve të këtij institucioni, ndërsa tha se synimi i SHBA është që të vazhdojnë bashkëpunimin me ta.
Todd D. Robinson tregoi se gjatë takimit që pati me prokurorët, dha disa mesazhe, mes të cilave se ata po bëjnë një punë mjaft të mirë, dhe se SHBA do të jetë në krah të tyre për t’i ndihmuar.
Më tej shtoi se “burimet janë të kufizuara kudo në botë, por një nga vendet ku nuk e kemi problem të shpenzojmë burimet tona është këtu në Shqipëri, për shkak të punës së shkëlqyer që këto institucione po bëjnë”.
Pjesë nga intervista:
Anila Hoxha: Ambasada amerikane këtu në Tiranë shpërndau të dhëna dhe fotografi mbi takimin tuaj me prokurorët e posaçëm të SPAK dhe ajo që vumë re ishte stoku i dosjeve të konsiderueshme në zyrat e prokurorëve anti-korrupsion dhe kundër krimit të organizuar. Çfarë menduat në ato momente kur patë stokun e dosjeve në ato zyra?
Todd D. Robinson: Më bëri përshtypje volumi i punës që bënin. Dhe mendoj se po përdorin të gjitha kapacitetet e tyre për t’iu kundërvënë krimit dhe korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në vend. Dhe jam krenar për bashkëpunimin dhe punën e përbashkët me SPAK-un. Dhe synimi ynë është që ta vazhdojmë këtë.
Anila Hoxha: Cili është mesazhi që iu dhatë prokurorëve të posaçëm anti-korrupsion dhe që insistoni ta përsërisni sërish?
Todd D. Robinson: Dhamë një numër mesazhesh. Së pari, që ata (SPAK) po bëjnë një punë fantastike dhe jo vetëm SPAK, por të gjitha agjencitë e pavarura të drejtësisë po bëjnë punë fantastike, një punë fantastike që shqiptarët e zakonshëm nuk e shihnin kur isha unë këtu, për shembull, në vitet 2004-2006. Ky ishte mesazhi i parë; i dyti – Qeveria e Shteteve të Bashkuara është këtu për t’i ndihmuar me punën e tyre. Ajo që iu thashë ishte, burimet janë të kufizuara kudo në botë. Por një nga vendet ku nuk e kemi problem të shpenzojmë burimet tona është këtu në Shqipëri, për shkak të punës së shkëlqyer që këto institucione po bëjnë. Dhe mesazhi i fundit është se qëllimi ynë është të vazhdojmë të ndihmojmë – kemi një ekip të shkëlqyer këtu. DEA është këtu. Departamenti i Drejtësisë është këtu. FBI është këtu. Po bëjmë punë të madhe me sistemin e burgjeve. Dhe synojmë ta vazhdojmë atë punë sepse është e rëndësishme për marrëdhënien Shtetet e Bashkuara – Shqipëri. Por më shumë sepse është rëndësishme që shqiptarët e zakonshëm ta shohin të bëhet kjo punë dhe të shohin që po mbështetet nga komuniteti ndërkombëtar.