Shqiptarët janë më të palumtur se rusët. Të paktën sipas vlerësimit të Raportit të Lumturisë Botërore të publikuar këtë të mërkurë, vendi ynë rezulton i 87-i në renditje, kurse shteti i Putinit në vendin e 72.
Shqipëria ka humbur 4 pozicione në listë, krahasuar me vitin e kaluar. Qytetarët në Kosovë janë më të lumturit në rajon, duke u renditur në vendin e 29. Vlerësimi bazohet në mbështetjen sociale, të ardhurat, shëndetësia, liria, bujaria dhe mungesa e korrupsionit. Sa i përket shtetit më të lumtur të botës, për të shtatin vit radhazi vijon të jetë Finlanda, sipas raportit. Po ashtu nuk ka patur ndryshim as në vendin e dytë dhe të tretë, që përkatësisht mbahen nga Danimarka dhe Islanda.
“Është e dukshme që lajmi kryesor është që Finlanda dhe Danimarka kryesojnë sërish Raportin e Lumturisë në Botë dhe që vendet skandinave dominojnë pesëshen e parë. Në fund, Afganistani ka rrëshqitur dhe më tej në aspektin e mirëqenies. Cilësia e jetës në Afganistan është jashtëzakonisht e ulët”, tha An-Emmanuel de Neve, redaktor, World Happiness Report.
Sipas raportit, në Gjermani, Francë, Britani dhe Spanjë, të moshuarit janë më të lumtur se të rinjtë, ndërsa në Portugali dhe Greqi është e kundërta.
“Pasuria është një gjë, por pastaj ka edhe një jetëgjatësi të shëndetshme, e cila është gjithashtu shumë e lartë në vendet skandinave, ndërsa në vende të tjera të pasura si Shtetet e Bashkuara, jetëgjatësia në fakt po bie për segmente të caktuara të popullsisë. Vendet skandinave dallohen realisht edhe në strukturën sociale. Pra, njerëzit i besojnë njëri-tjetrit, u besojnë institucioneve, ka mbështetje sociale në dispozicion për ta, si institucionalisht ashtu edhe personalisht”.
Raporti i parë i Lumturisë Botërore nga Rrjeti i Zgjidhjeve për Zhvillim të Qëndrueshëm, i cili është një iniciativë globale e Kombeve të Bashkuara, u publikua në vitin 2012.
/f.s