Për herë të parë gjykata më e lartë e emigracionit në Angli SIAC (Komisioni Special i Apeleve të Emigracionit) që prej krijimit të saj në vitin 1997, është duke shqyrtuar kërkesën e një politikani.
Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu, raporton se zoti Berisha në sekret të plotë ka pajtuar një kompani avokatore për këtë proces, nisur paraditen e kësaj të marte. Gjatë katër ditëve në vijim thekson gazetari Muhamed Veliu, në raportin e tij për edicionin qendror të lajmeve në Top Channel, kompania avokatore londineze Zaiwalla and Co së bashku me përfaqësuesin ligjor Fergus Randolph KC, do t’i paraqesin kësaj gjykate, argumentet se vendimi për ndalimin e hyrjes të zotit Berisha në Angli është i padrejtë.
Avokatët e zotit Berisha në këtë proces janë duke kundërshtuar vendimin e firmosur nga ish sekretarja për punët e brendshme Priti Patel.
Top Channel mëson se avokati zotit Berisha në çelje të procesit ka deklaruar se “kjo është një çështje e jashtëzakonshme mes një udhëheqësi të një opozite dhe një vendi europian. Vendimi për zotin Berisha u mor vetëm bazuar në pretendime të mediave të huaja“.
Po ashtu Top Channel mëson se baristeri i zotit Berisha Fargus Randolf i tha kësaj gjykate se klienti i tij Sali Berisha, në asnjë rast, nuk është dënuar për ndonjë vepër penale në Shqipëri dhe se ai me forcë mohon akuzat për korrupsion apo aktivitete kriminale.
Ndërkohë pala e paditur ministria e punëve të brendëshme Home Office deklaroi se: “Qeveria e Britanisë së Madhe ka si prioritet sigurinë e vendit tonë dhe e bën këtë edhe duke promovuar sigurinë, prosperitetin dhe shtetin ligjor në të gjithë botën. Britania e Madhe ka qenë një partnere e Shqipërisë duke e mbështetur në llogaridhënien dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete kundra kriminalitetit dhe korrupsionit”.
Do të ishte e tepërt thotë Home Office të komentonim më tej teksa procesi në gjykatë është në vijim. Britania e Madhe nuk i bën publike emrat e të shpallurve NonGrata por vetë zoti Berisha në një konferencë për shtyp bëri publik këtë vendim marrë ndaj tij./tch