Në Gjykatën e Apelit në Tiranë është hedhur shorti për gjykimin e “vulës” së Partisë Demokratike. Relatorja e çështjes do të jetë Alma Ahmeti, me anëtarë Iliba Bezati dhe Elona Toro.
Gjykata e Lartë zbardhi dje arsyet që prishën vendimin e Gjykatës së Apelit për vulën e Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Tre muaj më parë Gjykata e Lartë vendosi të prishë vendimin e Gjykatës së Apelit me argumentin se “ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj”.
Në vendimin prej 36 faqesh, Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerëson se rekursi i paraqitur nga pala kërkuese në këtë gjykim, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit përmban shkaqe të cilat, e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit.
Sipas Gjykatës së Lartë, çështja duhet rigjykuar në Apel nga një trupë tjetër. Zbardhja e vendimit i hap rrugën nisjes së procesit në Gjykatën e Apelit. Kolegji thekson se vendimi i dhënë nga ana e Gjykatës së Apelit është rrjedhojë e moskuptimit dhe mosidentifikimit të qartë të natyrës së mosmarrëveshjes.