Belgjika ka nisur tre ditët e zisë kombëtare, pas sulmeve me bomba që kanë goditur të martën Brukselin, duke vrarë 34 veta dhe plagosur rreth 250 të tjerë. Policia është duke vazhduar kërkimet masive për një të dyshuar, që është kapur nga kamerat e sigurisë, pak përpara shpërthimit të dy bombave në aeroportin Zaventem.
Rreth një orë më vonë, një tjetër shpërthim ka goditur një stacion të metrosë në lagjen Maelbek. Grupi ekstremist Shteti Islamik (IS) ka thënë se qëndron prapa sulmeve dhe ka paralajmëruar sulme të tjera. Departamenti amerikan i Shtetit ka paralajmëruar qytetarët amerikanë për “rreziqet potenciale” të udhëtimit në Evropë.
Në deklaratën e tij thuhet se grupet terroriste po planifikojnë “sulme të afërta në Evropë, duke vënë në shënjestër ngjarjet sportive, vendet turistike, restorantet dhe transportin”. Sulmet e së martës kanë ndodhur katër ditë pas arrestimit të Salah Abdeslamit në Bruksel. Hetuesit thonë se Abdeslam ka qenë i përfshirë në sulmet terroriste në Paris, nëntorin e kaluar.