Nga Lorenc Vangjeli
Nisi të krijohet në dy mandatet e para të qeverisjes së majtë, por në të tretin, Republika e Drejtorëve, është një realitet i dukshëm publik. Janë një grusht zyrtarësh të lartë të shtetit, me një identikit të veçantë, që e bën çdonjërin prej tyre, binjak me tjetrin. Në përgjithësi janë emra të panjohur e pa kontribute publike. Janë të rinj, vanitozë e plot ambicje. Janë thellësisht të dashuruar me euron, veshjet e firmuara, verën e shtrenjtë, kazinot, takimet me fallxhorë të njohur, udhëtimet jashtë shtetit dhe investimin në real estate. Shfaqen në publik kryesisht në fushata elektorale të shefave respektivë dhe atë kohë e përdorin si pasaportë politike për punët postelektorale që kryejnë. Bëjnë sikur adhurojnë kryeministrin kur e shoqërojnë në turet e tij, por në të vërtetë idhujtarizojnë vetëm autoritetin përgjegjës mbi ta. Me atë autoritet lidhin kërthizën e fatit vetjak. Shumica dërmuese e tyre drejtojnë si tiranë të vegjël ngastrën publike që kanë në ngarkim. Në Republikën e Drejtorëve, secili drejtor ndjehet kryeministër i plotfuqishëm, i pakërcënuar nga asnjë opozitë.
Zakonisht kanë pothuaj zero dukshmëri publike, me përjashtim të rrjeteve sociale, ku bashkëshortet apo të dashurat e tyre reklamojnë jetën prej “Rich Boys/Girls” nëpër botë. Zakonisht fundjavat i kalojnë jashtë vendit, shpesh në grupe eskluzive dhe vendqëndrime eskluzive, ku paguajnë vetëm me cash. Më të mençurit e tyre nuk tërheqin prej vitesh “tax free-në” në pikat e kalimit kufitar. Dikur e bënin sepse aq dinin!
Ka kohë që themeluesit e Republikës së Drejtorëve janë bërë objekt i vëmendjes së publikut, shpesh me xhelozi për fatin e të përzgjedhurve dhe po aq shpesh me shpresën për të pasur fatin e tyre. Ata gjenden në pushtetin qëndror dhe atë lokal. Dhe janë një nga arsyet që frymëzuan hyrjen në fjalorin politik të ditës të fjalëve: mollë, dardha, pjeshka, luleshtrydhe dhe mandarina. Të gjitha fruta të pafajshme që kanë plotësuar menunë e bashkëpunëtorëve të Ramës në tryezën ku ata benin aheng pas shpinës së tij. Me shumë gjasa, në këtë fjalor do të shtohen edhe qershitë. Dhe do të jetë mision i pamundur të gjendet ndonjë kokërr e palagur në kanistren me qershi e luleshtrydhe të qeverisjes.
Arrestimi i një drejtori të rëndësishëm në ministrinë e infrastrukturës dhe më herët, i sivëllait të tij në bashkinë e Tiranës, paralajmërimet se një fat i ngjashëm do të pasojë hetimet e nisura për një aradhë të gjatë të binjakëve të tyre, e ka ngritur në një nivel tjetër frikën dhe parandjenjat e liga. Që për herë të parë ka tejkaluar paralajmërimet ezopike të kryeministrit për ta e mbi ta, denoncimet e opozitës dhe shkrimet në media. Thasët e parave që kanë fituar, nuk ka minare që i fsheh më. Ato nuk mbulohen as me aleancat fluide e nderet financiare që një pjesë e qëndrave të pushtetit në pushtet krijon me opozitën kundër rivalëve në qeverisje dhe as me pilotimin dhe sponsorizimin në media të sulmeve reciproke.
Arresti i drejtorit të lartë të radhës është vetëm një hallkë domethenëse në zinxhirin e drejtorëve që duket se do të shpërthehen edhe më tej. Madje tanimë bëhet fjalë për një stinë dimri për drejtorë të rëndësishëm e jetëgjatë, që do t’u duhet të bëjnë rokadë me qelinë të shtëpive te tyre ku vetëm mobilimi shkon në qindra mijëra euro. Dhe ndoshta nuk përfundon këtu. SPAK po i bie pragut që të dëgjojnë dyert e rënda të pushtetit real.
Mjafton të vlerësohet se punët publike tenderohen pothuaj të gjitha me vlerën maksimale dhe që proceset janë me flamur të kuq, që të kuptohet se hetimi publik per shpenzimet buxhetore, i ngjan të shtënave në turmë. Ngado që të kthehet tyta, asnjë e shtënë nuk del huq.
Ekuilibri dhe kontrolli i pushteteve, aty ku ka pjesën e tij edhe Republika e Drejtorëve, që kishte kohë që ishte denatyruar, tanimë është duke krijuar një ekuilibër të ri falë ndërhyrjes së segmentit më domethënës të reformës në drejtësi, SPAK-ut. Pavarësisht padurimit të publikut, ritmi i shpresës së të cilit për drejtësi nuk mund të përputhet me shpejtësinë e hetimeve, përmbysja po ndodh dhe ky është vetëm fillimi. Altin Dumani gaboi pak ditë më parë në Shkodër kur cilësoi si objektiv fundin e pandëshkueshmërisë si koncept brenda pesë viteve të ardhshëm. Ky moment tashmë ka ardhur dhe jo vetëm pushteti i drejtorëve kryeministra, por gjithë republika e mëkatarëve, tw se djeshmes e tw se sotmes, po ndjen që më e liga është ende udhës për t’i takuar.
A do të përfundojë këtu? Vetë Dumani premton të kundërtën, pa fshehur dëshpërimin se ka tmerrësisht pak denoncime nga institucionet përgjegjëse. A është e mjaftueshme çfarë është bërë deri më tani? Gjasat janë se drejtorët në shënjestër nuk parathonë asgjë të mirë edhe për eprorët e tyre. Enigmw mbetet qëndrimi që do të mbajë ndaj kësaj situate cilësisht të re shefi i shefave, Edi Rama. Padyshim që kryeministri që qeveris me frymëzim artistik dhe që e ka pak për zemër prozën e mërzitshme të praktikës, e njeh këtë realitet që e ka denoncuar edhe vetë. Si rregull, vartësve të tij, Rama ju jep paradhënie besim të pakufishëm dhe më pas, kur i sheh si qershi të lagura, nuk ju beson edhe kur i betohen për datën në kalendar. “Stërvitja” paraelektorale që ai po i bën këto muaj partisë së tij duket se paralajmëron njw kalendar tw ri politik, që të shmangë pagesën prej tij të një fature që e kanë krijuar kryesisht të tjerët. I ardhur në pushtet në emër të rilindjes së vendit, Rama është i vetëdijshëm që mëkatarët që i vijnë rrotull mund të bëhen punonjës funerali për vetë rilindjen e rradhës në mandatin e katërt. Ai është i ndëshkuar të verifikojë nëse tumori i korrupsionit është bërë më i madh edhe se vetë trupi i sëmurë. Në një rrethanë të tillë, Dumani me mjetet e tij mund të bëjë vetëm kimio, kurse ai vetë duhet të shndërrohet në kirurgun që heq tumorin. Dhe bisturia e vetme në këtë rast, do të ishte vetëm zgjedhja për të bërë rizgjedhje.