Ish-kryeministri Sali Berisha, nga ballkoni i banesës së tij, ka folur sërish për krijimin e një qeverie teknike në vend, që sipas tij, do i sjellë Shqipërisë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Berisha u shpreh se nuk ka forcë në botë që të parandalojë krijimin e qeverisë teknike, ndërsa thekoi se shqiptarët me çdo çmim duhet të votojnë të lirë si qytetarët e tjerë.
“Edi Rama me potencialin e tij shkatërrimtar mbi vendin, mbi ligjet, mbi shtetin, nuk di të ndalet kurrë”, tha ai.
Sali Berisha: Të dashur miq, Edi Rama me potencialin e tij shkatërrimtar mbi vendin, mbi ligjet, mbi shtetin, nuk di të ndalet kurrë.
Gjithçka është në dorën tonë.
Gjithçka varet nga ne, nga beteja jonë pa kthim, nga betimi ynë për të marrë në duar fatin tonë.
Nga betimi ynë për të marrë në dorë fatin e Shqipërisë.
Nga betimi ynë për të ecur drejt qeverisë teknike.
Nga betimi ynë për të mos ushqyer asnjë iluzion se me Edi Ramën zgjedhje nuk ka.
Se shqiptarët me çdo çmim, me çdo kusht duhet të votojnë të lirë si qytetarët e tjerë.
Edhe njëherë, ju përshëndes, ju falënderoj me mirënjohje dhe shpreh besimin tim më të madh se po ecim të sigurt drejt fitores që meritojmë, se nuk ka forcë në botë që të na parandalojë krijimin e qeverisë teknike, zgjedhjet e lira dhe të ndershme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria! Fitore, fitore, fitore!/m.j