Në këtë intervistë për “Javanews”, ambasadori Zef Mazi tregon problematikën e madhe të zgjerimit evropian, rrugën e Shqipërisë drejt saj, por edhe etikën e sotme të Brukselit. Ka vend dhe për burokracinë që shoqëron kushtëzimin për 6 miliard eurot dedikuar rajonit, por nga ana tjetër edhe vështirësia që përballet për përmbushjen e kritereve. Ashtu, si në këtë intervistë gjen hapësirë edhe për ngjarjet e Ukrainës dhe angazhimin e Tiranës zyrtare në planin ndërkombëtar, si edhe zhvillimet në Kosovë dhe përballjet e saj të vështira…
Intervistoi Ben Andoni
Për ambasadorin Zef Mazi, njohës i mirë i politikave të Brukselit dhe më gjerë, asgjë nuk tingëllon e jashtëzakonshme sa i përket integrimit, kur kupton mënyrën sesi funksionon burokracia evropiane. Në shikimin e tij, është tejkaluar nga BE-ja etika moralo-politiko-diplomatike e sjelljes me një vend. Sensi lidhet me dëshirën pro integrimit të pjesës më të madhe të vendeve dhe nga ana tjetër e morisë së justifikimeve. “Janë shpikur lloj-lloj idesh e propozimesh, nga njëri tek tjetri, grandioze, që shiten me të madhe, por me paketim të keq, jo bindës”, shpjegon Mazi. Dhe, ato i kanë disa synime politiko-strategjike. Me pak fjalë të tregojnë sa shumë i duan pranë vetes vendet e Ballkanit Perëndimor, “ndonëse, shpjegon z.Mazi,’ në BE nuk ka strategji me afate të arritshme, por ka shtyrje dhe shtyrje të radhës, ka deficit të dukshëm kohezioni për integrimin (që po bëhet gjithnjë e më abstrakt); të na mbajnë ngrohtë të mos humbasim shpresën se “një ditë do hyjmë”. Por në këtë intervistë flitet shumë edhe për protagonizmin e tepruar të Shqipërisë në fushën ndërkombëtare dhe kujdesin që duhet të kemi, “pasi ne nuk jemi vend i madh, nuk jemi sa duhet të fortë politikisht, ekonomikisht, ushtarakisht, pavarësisht sjelljeve sikur kemi shpatulla mjaft më të mëdha se dimensioni i vendit”. Ose më thjeshtë, shpjegon ai: “Duhet modesti, urtësi, qetësi, normalitet, bashkëpunim, biznes i mirë, respekt i ndërsjellë, jo arrogancë!” Në përgjigjet e diplomatit të njohur gjendet dhe një qasje shumë racionale e mungesës së simetrisë së marrëdhënies Kosovë-Serbi, por edhe arsyeja pse Serbia është kaq e favorizuar, megjithë dëmet e mëdha që ka shkaktuar…
I nderuar z. Mazi! Të 6 miliardat dedikuar investimeve në vendet tona ballkanike kërkojnë që vendimi i propozuar fillimisht nga Komisioni Evropian, të pajtojë në negociata të përbashkëta Këshillin e BE-së, që përfaqëson 27 vendet anëtare, me Parlamentin Evropian. A mund të ecet me këtë strukturë burokracie, në mendimin tuaj?
“Pavarësisht stërzgjatjeve 30-vjeçare të këtij procesi, kryesisht për arsye politike, por edhe identitetesh, burokratiko-administrativo-institucionale, duhet mbajtur parasysh se ne kemi kërkuar dhe insistojmë, që të hyjmë në BE. Loja duhet luajtur me rregullat e tyre. A do jetë gjallë dhe si do jetë BE-ia kur të vijë dita jonë, nëse do vijë, zor se mund të thuhet.
Në shikimin tim, është tejkaluar nga BE-ia etika moralo-politiko-diplomatike e sjelljes me një vend. Është shpërdoruar dëshira, pro-evropianizmi i vendeve, janë nxjerrë lloj-lloj justifikimesh, janë vënë kushte pas kushtesh, janë shpikur lloj-lloj idesh e propozimesh, nga njëri tek tjetri, grandioze, që shiten me të madhe, por me paketim të keq, jo bindës.
Është mirë që të njihet shkurt kuadri historik i disa zhvillimeve, të informohen njerëzit për çka lidhet me BE-në! “Plani i Rritjes” u përmend për herë të parë nga Ursula von der Lajen në Konferencën e GLOBSEC (“think-tank” në Bratislavë) më 13 maj 2023. Plani u paraqit zyrtarisht nga Vareli më 8 nëntor 2023. Plani përmban disa elemente të konvergimit ekonomik dhe të integrimit gradual, me synimin të ndihmohet zhvillimi demokratik, ligjor, ekonomik dhe social i vendeve të Ballkanit Perëndimor përmes kësaj përqasje të re, përkrah fondeve IPA-s. (Për dijeni, ka pasur tre faza konvergimi: faza e tretë 1994-2010 – konvergimi i Evropës Lindore në drejtim të Evropës Perëndimore. Tek kjo faze nuk përdoret “me Evropën…”, por “në drejtim të Evropës…”!)
Këshilli Evropian arriti, më në fund, marrëveshje javën që kaloi. Këshilli e ka tani një pozicion negociues. Kësaj jave, Parlamenti Evropian pritet të arrijë konsensus për pozicionin e tij negociues. Pas kësaj fillon procedura burokratike tjetër, siç e cilësoni me të drejtë, e “trojkës’ – Këshill, Komision, Parlament – gjatë të cilës, institucionet e BE-së duhet të arrijnë në një tekst kompromisi para se të mbyllet cikli i tanishëm institucional.
Plenarja e fundit e Parlamentit Evropian do mbahet javën e fundit të sesionit, më 25 prill 2024. Nëse do arrihet kompromis edhe Presidenca belge mund të ketë shansin – nëse do dhe lejohet nga politikat e kulisave – që të fillojë zbatimin. Me kompromis kuptoj që teksti i propozuar do pësojë ndryshime. Nëse ka vullnet, mundet të gjendet mënyra për vendim politik në BE. Sesi do përfundojë, mbetet për t’u parë
Plani është për ciklin aktual të Kuadrit Shumëvjeçar Financiar (MFF – Multiannual Financial Frameëork), pra, për tani për vitet 2024-2027, sepse burimet janë dhënë nga cikli ku ndodhemi, që ka filluar në 2021-2027.
Meqenëse teksti përfundimtar i Rregullores nuk është miratuar ende, tani mund të thuhet vetëm se objektivi i Këshillit është që të ushtrojë kontroll të fortë mbi pagesat, me shumicë të kualifikuar (QMV). Lidhur me sa do financohet njeri vend apo tjetri, mbi ç’kritere – sipërfaqja, popullsia, zhvillimi ekonomik, potencialet, mundësia e maturimit, etj., mbetet për t’u parë kur të përfundojë procesi, kur të miratohet Rregullorja. Kështu e shoh situatën. Të tjerat që dëgjohen kanë prapa arsye politike, propagandë”.
Gjithsesi, të tria institucionet e BE-së insistojnë se vendet e rajonit, për të përfituar nga paketa e asistencës financiare, duhet të përmbushin një varg kriteresh bazike klasike. Dhe, kushti për kontrolle financiare dhe auditime të pavarura. Por, në rastin e Shqipërisë edhe kur janë vërtetuar shkelje si në rastin e fondeve të Bujqësisë nuk ka pasur reagimin e duhur?
“Lidhur me këtë aspekt, zhvillimet janë të shpejta e të shpeshta dhe kanë shumë zik-zake; informacione më të detajuara mund të ndahen në vijim… (Ndërkohë, Parlamenti ynë po zhvillon debate për aktet legjislative.) Theksoj se Grupkapitulli 1 – Themeloret, që përfshin Kapitullin 32 – Kontrolli Financiar, nuk mund të hapet me Shqipërinë, sepse Greqia e ka bllokuar procedurën. Nëse hiqet vetoja greke, mund të fillojnë negociatat reale me BE-në për çështje themelore, përfshirë kontrollin financiar.
Në përputhje me procesin e shqyrtimit analitik, Shqipëria është e detyruar të plotësojë të gjithë kriteret ligjore të Grupkapitullit 1 – Themeloret. Më pas, Komisioni do i rekomandojë Këshillit që të hapen negociatat për këtë Grupkapitull në kuadrin e Konferencës të Dytë Ndërqeveritare. Kanë kaluar dy vjet nga Konferenca e parë Ndërqeveritare. Kjo Konferencë nuk dihet kur do të mbahet edhe pse, sipas BE-së, ajo është konferencë vjetore”.
Ju keni thënë se: “Të flasësh me eufori për përqasje rajonale ka vello ‘internacionaliste’, që nuk bën kuptim. Përqasja rajonale bie ndesh me ‘mantrën’ e BE-së për zgjerimin, ‘bazuar në meritën individuale të kandidatit’. A duan ta çojnë zgjerimin në kalenda?
“E kam thënë dhe i qëndroj asaj që kam thënë. Sipas meje, sa thashë më lart dhe kam thënë më parë, idetë e reja, “grandioze”, shpikja e propozimeve njëri pas tjetrit, ndonëse ndihmojnë disi, nuk mjaftojnë. Ato kanë disa synime politiko-strategjike: të tregojnë sa shumë i “kanë për zemër” vendet e Ballkanit Perëndimor, ndonëse në BE nuk ka strategji me afate të arritshme, por ka shtyrje dhe shtyrje të radhës, ka deficit të dukshëm kohezioni për integrimin (që po bëhet gjithnjë e më abstrakt); të na mbajnë ngrohtë të mos humbasim shpresën se “një ditë do hyjmë” (kur?!), t’i qëndrojmë linjës të integrimit pa ngritur dyshime, pa ndryshuar kurs; të ecet me integrimin gradual – që mbështetet nga BE-ia sepse, në dukje, “sikur mirë është”; theksoj se ai bart rrezikun jo të vogël që njëri prej “stacioneve të autobusit, me ecjen graduale, të kthehet në stacionin fundor të autobusit”(!), pra rrezikohet mbetja përfundimisht jashtë; kësisoj, të na mbajnë në “distancë sigurie”, “jashtë, te dera, por do hyni”, “nuk duhet humbur por kapur shansi historik”. Pas 30 vitesh, sot mund të thuhet më se nuk është as shans, as historik!
Nuk ka alternativë ndaj integrimit të plotë në BE, përmes procedurave dhe rrugës të sanksionuar në Traktate dhe Konkluzione. Këto procedura, kjo rrugë njihet. Shpikjet e reja janë në linjë me synimet që rreshtova më lart. Megjithatë, duhen parë dhe analizuar mirë krejt rrethanat, ecuritë, arsyetimet.
Po të kthesh kokën pas, sheh se proceset e zgjerimit kanë qenë dhe janë bërë, për arsye interesash (shtetet anëtarë janë përpjekur gjithmonë të minimizojnë kostot e tyre). Ato janë bërë edhe për arsye identitetesh (shtetet anëtare kanë vepruar në përputhje me vlerat e tyre të përbashkëta, të identiteteve të deklaruara, dhe kanë zgjeruar Unionin me vendet në proces demokratizimi në Evropën jugore. (Në këto 50 vitet e fundit, fjala më e përdorur, apo e mbipërdorur, e nënpërdorur, e keqpërdorur, është “demokraci”. Ajo vazhdon të përdoret për të arritur synime të caktuara politike.)
Koha dhe interesat e sakta të çdo pakete politike të zgjerimit kanë qenë të varura nga një ndërlidhje raporti midis forcave dhe interesave në çdo periudhë politike. Vendimet e rëndësishme për zgjerimin janë marrë duke kaluar përmes një procesi reflektimi dhe arsyetimi politik mbi mençurinë dhe vlerën e propozimeve dhe rrugës që duhej ndjekur. Në këtë proces, vendet anëtare kanë shkëmbyer çka dikush e ka cilësuar si “arsye të arsyeshme” për pretendimet dhe preferencat e tyre respektive. Zgjerimi ecën në atë mënyrë që, jo vetëm është në përputhje me interesat e veçanta të shteteve anëtare individualisht, por edhe me interesat e BE-së si e tërë. Prandaj edhe dëgjohet karakterizimi se zgjerimi modelohet si “dilema e veprimit kolektiv”, në dukje një e tërë. Shtetet anëtare e dinë se zgjerimi është mirë për ta kolektivisht në afatgjatë, por individualisht dëmtues në afatshkurtër, institucionalisht edhe ekonomikisht.
Kostot dhe përfitimet e zgjerimit janë të paqarta, të pasigurta dhe/ose të vështira për t’u llogaritur. Ato bazohen në hamendësime, edhe të gabuara, ose të rrezikshme, që në çdo kohë, mund ndeshen me ngjarje të papritura, të paparashikuara. Zgjerimi është fenomen kompleks për t’u vendosur ne mënyrë racionale në “tabelë të qartë kostosh dhe përfitimesh”.
Për zgjerimin preferencat mund të ndryshojnë me ecurinë e procesit kur dhe nëse preferencat fillestare kundërshtohen nga argumente, ose nga ngjarje faktike (si ç’po ndodh, për shembull, në spektrin politik tek ne), që interpretohen në të njëjtën mënyrë. Preferencat nuk janë as fikse, as stabël. Gjatë ecurisë dalin argumente që ndihmojnë vendet të ndryshojnë mendim. Kjo është vërtetuar me propozimet, me metodologjitë, me planet e reja, etj.
Ne mërzitemi me të drejtë, se BE-ia kalon nga shtyrja në shtyrje. Ajo nuk ka as “oreks”, as vullnet politik, as strategji, për zgjerim. Kjo duhet futur mirë në kalkulimet e interesave tona, në nevojën edhe për të diversifikuar marrëdhëniet me botën, duke “mos i vendosur të gjitha vezët në një shportë”. Ato interesa duhet parë dhe kalkuluar krejt ftohtë, pa emocion. Kështu kanë vepruar dhe veprojnë vendet e BE-së edhe ndaj nesh.
Këto duhen mbajtur mirë parasysh kur flitet për zgjerimin: pra përse nuk ecet si mendohej, si shpresohej, me integrimin tonë në BE. Këtë proces, arritjen e objektivit, nuk e shoh as të shpejtë, as të shëndetshëm”.
Si e vlerësoni Samitin e Ukrainës në Tiranë dhe çfarë roli mund të luajnë vendet tona me atë fuqi ekonomike modeste që kanë? A nuk duket i tepruar protagonizmi i Tiranës zyrtare në aspektin ndërkombëtar, paçka se nga ana tjetër e ka ndihmuar shumë përmirësimin e imazhit të vendit?
“Samiti i Ballkanit Perëndimor për Ukrainën në Tiranë ishte, sipas meje, thjesht një “shoë” politik i radhës. Ai pati ose impakt minimal ose nuk pati fare impakt. Realisht, me zhvillimet e situatave, “fshati që duket nuk do kallauz”, thotë populli. Nuk shoh as ndonjë përfitim konkret as arsye të fortë për ta bërë. Dukej se ishte më shumë, ose krejtësisht, për të kënaqur egon e dikujt, për të bërë “lajkën e radhës” ndaj një vendi, apo dy-tre vendeve. Mjafton të lexosh deklaratën e Samitit, ajo flet vetë.
Nëse vendi ka mbetur për të rritur imazhin e tij përmes një Samiti të tillë, shoh se kemi problem jo të vogël. Imazhi i vendit përmirësohet dhe ngrihet me ato që bëhen dhe që ndodhin në vend. Ai ngrihet me përmirësimet e gjithanshme të nivelit të jetesës, të shëndetit të njerëzve, të nivelit arsimor, të mbajtjes të rinisë në vend duke i dhënë siguri me fakte për punë dhe të ardhmen, të forcimit të shtetit ligjor, të arritjeve konkrete në luftën kundër korrupsionit, të paqtimit të marrëdhënieve politike ndërpartiake, të krejt situatës politike, të një jete normale parlamentare, jo fishekzjarrë, jo përjashtime dhe qëndrime përjashtuese, e të tjera.
Ne nuk jemi vend i madh, nuk jemi sa duhet të fortë politikisht, ekonomikisht, ushtarakisht, pavarësisht sjelljeve sikur kemi shpatulla mjaft më të mëdha se dimensioni i vendit. Ky është aberrracion. Është mirë, duhet, që çdo hap të jetë në përputhje me dimensionin tonë. Duhet modesti, urtësi, qetësi, normalitet, bashkëpunim, biznes i mirë, respekt i ndërsjellë, jo arrogancë!”
Ndërkohë për Kosovën dhe Serbinë “para-kusht tjetër” do të jetë “angazhimi konstruktiv në normalizimin e raporteve mes tyre”. Po, a shihet vallë në Bruksel, që dialogu është në nivel më të keq se një vit më parë, kur u mendua se u arritën rezultatet më të mira?
“Nuk them se nuk dihet në Bruksel se për çfarë arsyesh dialogu është në nivelin që është. Brukseli duhet të sqarojë mirë kuptimin dhe përcaktimin e termave që përdor. Çfarë don të thotë “angazhim konstruktiv”!, qoftë për hir të dialogut, apo që të bëhen lëshime, që i kërkohen kryesisht, apo vetëm Kosovës, të angazhohesh për të çuar përpara dialogun për normalizmin e marrëdhënieve, për të zgjidhur një numër çështjesh të mprehta, është gjë e mirë që duhet bërë. Por, ka disa çështje jo të lehta që kërkojnë kompromise nga të dyja palët.
Kosova është treguar e duruar, e kujdesshme. Ajo ka një kushtetutë, që i referohet, e mbron dhe e zbaton. BE dhe SHBA-ja nuk janë treguar të prera, të qarta. Terminologjinë e butë, “ledhatuese“, gjuhën e “simetrisë të fajit” Beogradi e merr për mbështetje dhe vijon të veprojë vetëm sipas objektivit të tij afatgjatë! Strategjive hegjemoniste, që vijojnë, u duhet thënë Stop! BE-ia bën sikur nuk e kupton. Nuk shoh logjikë tjetër veç paqtimit, marrjes me të mirë, lëshime ndaj Beogradit që nuk e njeh, nuk do ta njohë, por vijon punën për shnjohje të shtetit të Kosovës nga ata që e kanë njohur.
Njohja reciproke është thelbi, çelësi i të gjithë ecurisë të marrëdhënieve. Me atë fillojnë të gjitha marrëdhëniet ndërshtetërore. Nëse mungon njohja reciproke, mungon objektivi themelor! Çështjet e tjera mund të ndihmojnë, por deri në një kufi të caktuar. Njohja reciproke do mbyllte një herë e mirë gjithë kapitujt e deritanishëm të vuajtjeve të shqiptarëve, dhe të mitologjive hegjemoniste serbe!
Problem pengues madhor për të arritur këtë objektiv është kushtetuta e Serbisë. Ajo kushtetutë, miratuar unilateralisht në mesin e bisedimeve dypalëshe, sanksionoi Kosovën si pjesë të Serbisë. Kjo përjashtoi, që kur u miratua, çdo mundësi për njohjen e Kosovës. Ajo kushtetutë duhet ndryshuar për t’i hapur rrugën pikave të tjera. Ky duhet bërë prioriteti numër një, me presion, nga të gjithë krahët. Shoh se krahët nuk janë të angazhuar si më parë, por kërkohen koncesione vetëm nga Kosova në favor të Serbisë.
Për të tjerët bëhen thirrje për dialog, për ndihmë, ndërmjetësim. Shpaloset ”internacionalizmi“, “interesi i paqes dhe sigurisë në Evrope“, etj. Thirrja për dialog nuk duhet të zëvendësojë përdorimin e një gjuhe tjetër.
Borrel-i dhe Lajçak-u nuk është mirë të lejohen të ushtrojnë funksionet në lidhje me Kosovën. Ata kanë qenë ministra të jashtëm të vendeve të tyre, kanë mbajtur qëndrimet që njihen ndaj Kosovës, duke udhëzuar misionet e tyre diplomatike të mos e njohin Kosovën. Ata kanë konflikt madhor interesi! Ata kanë pas interesat kombëtare të: shteteve e tyre që nuk e kanë njohur dhe nuk dihet nëse, dhe kur do mund ta njohin Kosovën. Ndaj tyre ka mungese besimi. Asnjë shtet nuk do t’a lejonte po të kishte konflikt të tillë interesi!
BE-ja pa Ballkanin Perëndimor nuk është as e tërë, as e fortë, as aq demokratike sa dëshiron të mendojë se është. Me Ballkanin Perëndimor të përfshirë, BE-ja do të jetë më e fortë, do të merret më seriozisht, do të dëgjohet gjithnjë e më me vëmendje dhe do të konsiderohet një lojtar me peshë në politikën globale, në mënyrë të dyanshme qoftë prej secilit shtetet anëtar, ashtu edhe si Union. Ballkani Perëndimor, më konkretisht vendi im, ka jetuar dhe mbijetuar në këto territore që prej mijëvjeçarëve të historisë së njohur. Vendi im do të vazhdojë të jetojë dhe të mbijetojë këtu në këto territore me ose pa BE, në BE ose jashtë BE-së. Integrimi në BE është një rrugë e dyanshme. Ka kosto dhe përfitime si për vendet e Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe për vetë BE-në. Nuk kërkon shkencën e raketave për të parë se cilat do të ishin kostot dhe përfitimet reciproke”. (Javanews)