Deputeti i Partisë Socialiste, Denis Deliu thotë se mes mazhorancës dhe opozitës ka në parim një dakordësi për ngritjen e dy komisioneve hetimore, por se opozita ka kërkuar më shumë
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Deliu u shpreh se dakordësia është e vonuar dhe se duhej të ishte arritur prej kohësh.
Sipas Deliut, komisionet hetimore janë të rëndësishme dhe nëse ngrihen, duhet të prodhojnë diçka.
Deliu shtoi se opozita duhet të arrijë konsensusin sa më parë edhe në lidhje me reformën zgjedhore.
“Të gjithë e kemi ndjekur me vëmendje dakordësinë e mazhorancës dhe opozitës. Ne prisnim në Konferencën e Kryetarëve, të gjehej një marrëveshje që të rikthehej normaliteti politik në Kuvend, i kërkuar nga populli, por edhe nga ambasadat e huaja, por edhe nga ne. Edhe opozita është e bindur që nuk silli diçka të mirë, nuk ia vlejti. Është për t’u vlerësuar dakordësia. Sa i përket ngërçit, ne nuk jemi kundra komisioneve hetimore, por duhet të respektohet ligji dhe kushtetuta. Opozita nuk ka konfirmuar që nuk është kundra, por ka kërkuar më shumë kohë. Mbledhja është shtyrë për të arritur një rrugë zgjidhje politike. Komisionet hetimore janë shumë të vlefshme për opozitën, por edhe mazhorancën. Të kontrollojnë qeverinë, por edhe institucionet ligjzbatuese në vend. Ligji për komisionet hetimore rregullon mënyrën sesi duhet të pyeten dëshimtarët dhe shumë gjëra të tjera.
Opozita ka kërkuar mbi 7 komisione hetimore, por çështja është se duhen ngritur bazuar në ligj dhe kushtetutë. Do baza, të dhëna, arsye të bindshme që me të vërtetë ky komision hetimor do të prodhojë diçka. Janë të gjitha mundësitë, Kuvendi ka juristë të shkëlqyer, nga të dyja krahët e politikës, që të ndërtojnë ato komisione që janë të vlefshme dhe do të prodhojnë diçka. Nëse një komision hetimor ngrihet dhe nuk prodhon asgjë, është humbje kohe.
Konferenca e Kryetarëve është shumë e rëndësishme dhe kanë një rol të pazëvendësueshëm kryetarët e Grupit Parlamentar. Kryetari i Grupit Parlamentar, i numrit më të madh të deputetëve është Gazment Bardhi, e njohim këtë gjë, nuk ka lidhje me “non gratën”. Është e vonuar, duhet të ishte arritur me kohë. Mazhoranca nuk ka zgjedhur Rithemelimin, kryetari i Grupit Parlamentar ka marrë pjesë në Konferencën e Kryetarëve. Opozita duhet të arrijë konsensusin sa më parë dhe sa më shpejt.
Afati përfundimtar është data 21 mars dhe Partia Socialiste ka një draft ku dhe është punuar në ato pika të nxehta që shqetësojnë politikën shqiptare dhe popullin shqiptar. Unë uroj që opozita ta gjejë forcën dhe të gjejë në konsensus. Në të kundërt, ne do të futemi me ligjin e vjetër. Duhet patjetër dakordësia e opozitës, që të miratohet reforma e re zgjedhore”, theksoi ai./m.j