Klubi i Romës është vendosur së fundmi në qendër të një skandali, që lidhet me ekspozimin e një videoje të një prej punonjëseve të qendrës sportive Trigoria, ku vajza shihet në momente intime me të dashurin e saj.
Video ka bërë xhiron jo vetëm të dhomave të zhveshjes , por edhe të sallave të drejtuesve më të lartë në Trigoria, duke u shpërndarë nga celulari në celular e nga chat-i në chat, mes të qeshurash dhe komenteve seksiste.
Futbollistë, trajnerë e madje edhe disa drejtues (nga ekipet e të rinjve por jo vetëm), e kanë shpërndarë videon erotike duke e komentuar dhe denigruar imazhin e saj.
Drejtuesit e lartë të kompanisë Friedkin kanë preferuar të heshin duke mos e komentuar lajmin për rastin, që përbën shkelje të privatësisë. Por pozitat e tyre duken të rënduara, pasi kanë marrë një vendim të menjëhershëm për shkarkimin e vajzës , e cila punonte për klubin e Romës prej gati dhjetë vitesh.
“Papajtueshmëria mjedisore”, është arsyeja zyrtare e shkarkimit, siç shkruan avokati Lorenzo Vitali , menaxher ligjor i kompanisë Friedkin. “Një video u soll në vëmendjen e Departamentit të Burimeve Njerëzore dhe menaxhmentit të lartë, e cila ju portretizon duke kryer akte seksuale. Fatkeqësisht, kuptojmë që kjo video është parë nga një pjesë e madhe e stafit dhe lojtarëve”, thuhet në letrën e largimit nga puna që ka marrë punonjësja e re.
Konstatojmë “papajtueshmëri të vazhdimit të marrëdhënies suaj të punës me mbarëvajtjen paqësore dhe të rregullt të veprimtarisë së shoqërisë”, thuhet më tej në arsyetimin e klubit verdhekuq.
Ndërkohë historia rëndohet, pasi mediat raportojnë për një takim në Trigoria ku një lojtar i Primavera-s ka rrëfyer mes lotësh, para disa personave, se ishte ai që vodhi videon nga celulari i vajzës pasi i kishte kërkuar asaj ndihmë për të telefonuar agjentin e tij, dhe më pas e shpërndau me shokët e ekipit të të rinjve.
Të tjerë raportojnë “komente të rënda seksuale në mediat sociale dhe bisedat e brendshme“. Faktet datojnë në vjeshtën e kaluar, kur video qarkulloi për disa javë derisa punonjësja u dëbua në nëntor.
/a.r