Përmes një njoftimi zyrtar të SPAK nga hetimi ka rezultuar se shoqëria “DAAM”sh.p.k., në zotërim indirekt të shtetasit E.B., ka përfituar të ardhura nëpërmjet transaksioneve nga shoqëria e shtetasit V.B. “N….Group”sh.p.k., në vlerën 223,480,476 (dyqind e njëzet e tre milion e katërqind e tetëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekë, me tvsh.
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar kryesisht procedimin penal Nr. 214, të vitit 2023, për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 258, 244-25, 259, 287/2 të Kodit Penal.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (depozituar në datën 07.03.2024), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 21, datë 13.03.2024 ka vendosur:
1. Caktimin e masës së sigurimit personal shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim E.B., me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 259, 287/2 të Kodit Penal.
2. Caktimin e masës së sigurimit personal shrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim V.B., ortak i vetëm dhe administrator i shoqërisë “N….. Group” sh.p.k., dhe ortak i shoqërisë “D…..” sh.p.k., si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 244-25, 287/2 të Kodit Penal.
3. Caktimin e masës së sigurimit personal shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim E.L.,administrator i shoqërisë “D….” sh.p.k., dhe punonjës i shoqërisë “N…….Group” sh.p.k.,si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuara nga nenet 244-25, 287/2 të Kodit Penal.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ekzekutuar në datën 13.03.2024, masat e sigurimit të caktuara me vendimin Nr.21, datë 13.03.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj tre të hetuarve.
Nga analiza e provave të marra deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se, shtetasi E. B., fillimisht në cilësinë e ish Drejtorit të Përgjithshëm për Efiçencën e Energjisë, më pas në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëria “N……. Group”,sh.p.k., (që është përfituesi i prokurimeve publike të zhvilluara gjatë kohës kur shtetasi E. B. ishte titullar i autoritetit kontraktor), përfitime të parregullta monetare të marra në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet shoqërisë “D……. sh.p.k., të kontrolluar prej tij. Marrja e këtyre përfitimeve është realizuar pas fitimit të procedurave të prokurimit nga ana e shoqërisë “N…… Group”, sh.p.k., në zotërim të shtetasit nën hetim V. B., prokurime publike të zhvilluara me titullar të autoritetit kontraktor, shtetasin E.B., dhe më pas kanë kaluar vlera monetare nëpërmjet transaksioneve në drejtim të shoqërisë në zotërim indirekt të shtetasit E. B. “D…..” sh.p.k, me përfitues shtetasin E. B.. Këto vlera monetare të përfituara në mënyrë të parregullt, nëpërmjet shtetasve V. B., E. L. dhe B. B., i ka investuar në veprimtarinë ekonomike për blerjen e pasurive të paluajtshme në emër të shoqërisë “D…..”sh.p.k, që përbëjnë edhe produkte të veprës penale. Në këto rrethana shtetasi E. B., dyshohet për kyerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga neni 287, gërma “d” të Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal.
Ndërsa shtetasi V. B. në cilësinë e ortakut të shoqërisë “N….. Group”, sh.p.k, për shkak të fitimit të procedurave të prokurimit publik të zhvilluar nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, me titullar të autoritetit kontraktor shtetasin E. B., ka transferuar vlera monetare në drejtim të shoqërisë “D……” sh.p.k, në zotërim indirekt të shtetasit E. B., por që është menaxhuar nga shtetasit B. B., E. L. dhe V. B., me qëllim dhënien e përfitimit të parregullt shtetasit E. B. Në lidhje me veprimet e kundraligjshme të tyre shtetasit V. B., E. L. dhe B. B., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, 25 i Kodit Penal. Investimi në veprimtarinë ekomike të këtyre vlera monetare të përfituara në mënyrë të parregullt, për blerjen e pasurive të paluajtshme në emër të shoqërisë “D…..”sh.p.k, janë bërë gjatë kohës që kanë qenë ortak të shoqërisë shtetasit V. B., E. L. dhe B. B., që përbëjnë edhe produkte të veprës penale. Në këto rrethana, shtetasit V. B., E. L. dhe B. B., në bashkëpunim me shtetasin E. B., dyshohen për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga neni 287, gërma “d” të Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal.
Nga hetimi ka rezultuar se gjatë kohës kur shtetasi E.B., ka qenë nën cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, Agjencia për Efiçencën e Energjisë, janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 137,400,000 (njëqind e tridhjetë e shtatë milion e katërqind mijë) lekë pa Tvsh, me operator fitues shoqërinë e shtetasit V.B., “N…Group” sh.p.k. Kurse gjatë kohës kur shtetasi E.B., ka qenë nën cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, Autoriteti Rrugor Shqiptar, janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 101,811, 343 (njëqind e një milion e tetëqind e njëmbëdhjetë mijë e treqind e dyzet e tre) lekë, pa Tvsh, me fitues bashkimin e operatorëve me pjesëmarrëse shoqërinë e shtetasit V.B., “N…Group” sh.p.k.
Po ashtu, nga hetimi ka rezultuar se shoqëria “D….”sh.p.k., në zotërim indirekt të shtetasit E.B., ka përfituar të ardhura nëpërmjet transaksioneve nga shoqëria e shtetasit V.B. “N….Group”sh.p.k., në vlerën 223,480,476 (dyqind e njëzet e tre milion e katërqind e tetëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e gjashtë) lekë, me tvsh.
/f.s