Korridoret e politikës në Tiranë po “gumëzhijnë” lidhur me marrëveshjen që kanë bërë socialistët me Rithemelimin për Komisionet Hetimore dhe Reformën Elektorale. Për të biseduar rreth kësaj çështjeje, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me gazetarin Aleksandër Furxhi, ishte nënkryetarja e PD-së, Orjola Pampuri.
-Ju (PD-ja zyrtare) po thoni se Rithemelimi po bën pazare me qeverinë, akuzë që e keni pasur mbi shpinë nga pala tjetër për pothuajse dy vjet. Si e shikoni këtë zhvillim, pse është pazar për ju?
Pampuri: Jemi akuzuar gjatë gjithë kësaj kohe që kemi qenë pengjet, kemi bërë pazare me Ramën, por në fakt dolëm në përfundimin që ata të cilët akuzojnë, janë ata që e kanë mekanizëm mbrojtjeje akuzën sepse janë vetë ata që kanë bërë pazare. Ne kemi thënë që është thjesht një pazar si ai i 2008 për Kodin Zgjedhor, sepse ne kemi një Komision të Reformës Zgjedhore. Kemi bërë të gjitha propozimet e mundshme sa i përket opozitës, listave të hapura, votës së diaspoës, votimit dhe numërimit elektronik, zgjedhjes së Presidentit me votë, Shqipëria një zonë. Opozita duhet të ishte dakord me këto sepse janë në të mirë të PD-së, në të mirë të gjithë opozitës së bashkuar dhe në të mirë të gjithë shqiptarëve që do të kishin mundësi të votonin kandidatët me të cilët do të donin të përfaqësoheshin në Parlament. Gjë që po pengohet dhe mundësia për ta penguar ishte pikërisht kjo marrëveshje që u nis me një pseudo-revolucion 5 muaj dhe ky pseudo revolucion u shua me dy komisione nga tetë që u kërkuan. Këto të dyja do shqyrtohen me ndryshimet në ligj. Dëshmitarët që do të përzgjidhen të dëshmojnë në Komisione do të zgjidhen me shumicë votash nga mazhoranca, nga objekti i hetimit do të jetë me shumicë votash nga mazhoranca. Komisionet hetimore do të bëhen me dyer të mbyllura. Pra ata do të jenë thjesht kukulla dhe do t’i hedhin hi syve demokratëve duke i thënë që ‘ne fituam’. Në fakt ata nuk fituan për demokratët, ata fituan betejën që kanë mes vetes brenda PD-së, kush është më i fortë, Berisha apo Basha.
-Nuk kanë fryrë erëra të mira për PD-në zyrtare. Radhët tuaja sikur nuk janë shtuar, përkundrazi. Ju duket sikur e keni lënë fushën bosh dhe vëzhguesit mendojnë se kjo është një pasojë e asaj që ju keni mbjellë.
Pampuri: Nuk është kështu. Ne nuk kemi përdoruar as ata që kemi ushqyer për 33 vjet për të na financuar. Ne kemi punuar gjithë kohën në terren, ne kemi qenë gjithë kohën duke organizuar degët e PD-së, kemi qenë me qytetarët në terren. Kjo nuk do të thotë që ne kemi humbur mbështetjen. Ne nuk jemi këtu për të matur forcat se kush sjell më shumë në shesh. Ajo është thjesht një mundësi për të matuar se çfarë u zgjidh me këtë pseudo-revolucion dhe pseudo-bashkim, një bashkim amoral që u realizua për të plotësuar interesat e disa individëve. Dikush ka interes të mbrojë veten, dikush të sigurojë një karrige në zgjedhjet e 2025. Këtë gjë nuk mund ta kërkojnë më nga shqiptarët, sepse shqiptarët janë lodhur kanë 12 vite në opozitë. Duan një zgjidhje.
-Çfarë do të bëni ju atëherë? Cilat janë aksionet apo çfarë taktike do të ndiqni? Kryetari juaj ka paralajmëruar që do të shpallë disa skandale, disa kriminelë të liruar, fakte të reja për lidhje me inceneratorët. Çfarë do të bëni ju?
Pampuri: Kryetari i PD-së, zoti Basha do të flasë dhe do të jetë prezent me ato që ju përmendët. Por kemi një program shumë të mirë, së bashku me deputetët që do të jenë kandidatë për zgjedhje. Jemi në një vit elektoral, kshtu që do të jemi gjithë kohën në terren./m.j