Disa orë pas sulmeve terroriste në një metro dhe në aeroportin Zaventem në Bruksel, forcat e sigurisë së këtij vendi janë ngritur në nivelin më të lartë të gadishmërisë nga frika e sulmeve të reja gjatë orëve në vijim.
Policia belge ka të dhëna se terroristët po përgatiten të godasin sërish ndaj kanë këshilluar qytetarët të shmangin daljet në rrugë dhe grumbullimet në masë.
Ndërkohë disa informacione të shërbimeve inteligjente irakene flasin për të paktën 3 kamikazë të tjerë që po përgatiten të hedhin veten në erë në zona të populluara në Bruksel.
Këto informacione i janë përcjellë autoriteteve belge.
Në këtë situatë, policia ka rritur kontrollet në çdo zonë të Brukeslit por edhe në qytete të tjera. Në rrugë janë parë të patrullojnë edhe pjesëtarë të forcave të ushtrisë.