Lara Colturi siguroi vendin në finalet e Kupës së Botës për Ski edhe në disiplinën e Slalomit. Në Are të Suedisë, 17-vjeçarja italiane e natyralizuar si shqiptare ia doli që me kohën 1 minutë 46 sekonda e 28 të qindtat të siguronte vendin e 23-të dhe pjesëmarrjen në garën finale të Austrisë në fundin e eventit.
Lara siguroi edhe zonën e 25 më të mirave në këtë disiplinë, e preferuar për të.
Dje Colturi u rendit në vendin e 19 në Slalomin Gjigant dhe siguroi finalen në Austri javën që vjen, teksa sot ia doli që me paraqitjen e mirë në Suedi të siguronte një vend edhe në finalen e Botërorit për disiplinën e Slalomit.
“Një ditë e mrekullueshme me diell, por pak ftohtë. Në zbritjen e parë gabova një moment dhe në të dytën kërkova të argëtohesha dhe bëra atë që duhet të bëja. Shkoi mirë, jam e kualifikuar edhe në disiplinën e Slalomit në finale. Shihemi atje”, tha Lara pas garës.
Kështu javën që vjen në Saalbach të Austrisë, aty ku zhvillohet finalja e Botërorit të Skive, Lara Colturi do përfaqësojë Shqipërinë në të dyja disiplinat.