Mediat italiane publikuan pamjet e atentatit ndaj 27-vjeçarit shqiptar Kasem Kasmi në Itali.
Fillimisht sherri mes tyre nisi brenda Shake Bar, një lokal mjaft i frekuentuar nga të rinjtë në zonë. Më pas të dy grupet u përballën me njëri-tjetrin në rrugë. Mediat italiane shkruajnë se 4 shqiptarët ishin ulur në një tavolinë në bar, kur dy shqiptarë nga banda tjetër mbërritën dhe filluan të debatojnë.
Më pas, një person ka dalë nga makina dhe ka qëlluar në drejtim të 4 shqiptarëve, ku njëri fatkeqësisht humbi jetën. Tre të plagosurit janë goditur në kokë, në qafë dhe në gjoks. Një prej tyre është një gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa dy të tjerët janë jashtë rrezikut për jetën. Pas të shtënave, anëtarët e bandës rivale janë larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes.
Karabinierët kanë arrestuar 23-vjeçarin shqiptar, i cili dyshohet se është personi që ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të 4 bashkëatdhetarëve. Prokuroria italiane e akuzon atë për veprën penale të vrasjes me paramendim dhe vrasjes së trefishtë të mbetur në tentativë. Vetë 23-vjeçari thotë se qëlloi për vetëmbrojtje. Ndërkohë, 3 të tjerë janë ende në kërkim.
Pistat e hetimit
Policia italiane po heton pistën e larjes së hesapeve mes dy grupeve shqiptare, trafikun e drogës dhe prostitucionit. Ndërsa u sekuestrua makina me të cilën autorët kishin mbërritur në qendër të qytetit, që ndodhet në rrugën paralele me Via Aldo Moro, atë të Shake Bar. Nisur nga dëshmitë, një tjetër pistë po hetohet për përplasjen dhe ka të bëjë me sherr për një vajzë që kishte lidhje me Kasmin dhe në pas me Zekën.