Miratimi nga Kongresi i kërkesës së kryesosocialistit Edi Rama për ta ça cuar anëtarësinë në referendum parashikohet në Kodin Zgjedhor të PS, një dokument me 17 faqe ku janë përfshirë 59 nene për mënyrën e zgjedhjeve në këtë forcë politike.
Janë nenet 55 dhe 56 ku sanksionohet mënyra e procedimit në rast referendumi. Por a është në përputhje me kodin zgjedhor data e referendumit 9 Prill 2016, e cila vjen vetëm 3 javë nga dita kur u organizua kongresi?
Të henën nga studio e Top Story, kundërshtari i Ramës deputeti Ben Blushi e quajti datën e referendumit një tjetër shkelje, duke iu referuar nenit 56, ku janë parashikuar kufizimet e ushtrimit të së drejtës së referendumit në pikat a,b dhe c.
Neni 56
Referendum në PSSH nuk mund të zhvillohet
a. Dy muaj para dhe dy muaj pas Kongresit të Partisë.
b. Një muaj para fillimit të fushatës për zgjedhjet në parti.
c. Një muaj para fillimit të fushatës për zgjedhjet parlamentare dhe organet e qeverisjes vendore.
Por a është shkelur pika A e këtij neni të kodit zgjedhor në PS? Një nga juristët e Komisionit të Garancive Statutore i dha Top Channel këtë shpjegim:
“Vendimi i Kongresit është një nga aktet më të larta në hierarkinë e normave partiake. Është Kongresi që po me vendim miraton/ndryshon statutin. Kurse Kodi i Zgjedhjeve është i miratuar me vendim nga Asambleja Kombetare, si i tillë është një normë inferiore në hierarkinë e normave partiake. Absolutisht që prevalon vendimi i Kongresit dhe kjo nuk ka vend fare për diskutim”.
/ Top Channel