Nga Bledi Lumani
Alfred Lela e ka menduar si gjetje, që t’i çojë poshtë shtëpisë Sali Berishës, një pastor.
Paçka se i ka çuar të vëllain si pastor, gjetja ishte një boomerang i bukur.
Jo se është i vëllai, por se i ka çuar një të pandehuri, dikë para të cilit njerëzit zakonisht rrëfehen, apo dëgjojnë fjalën e Zotit.
Dhe kush më shumë se Berisha, me gjithë ato akuza mbi shpinë, që para ’90-s nga kolegët e tij mjekë, e deri në ditët e sotme, ka nevojë për t’u rrëfyer.
Aq më tepër që tani është në fund të jetës fizike dhe llogaritë duhet t’i bëjë me botën që e pret, jo me atë që po lë.
Do ishte një gjest shumë më fisnik nga Lela, që në vend t’i pastrojë imazhin e bërë baltë dhe që nuk ka truk t’ia shpëlajë, t’i shpëtonte shpirtin, duke mos ia çuar vëllain poshtë ballkonit për të treguar se çfarë thotë Bibla për neutralitetin, por se çfarë thotë për ata që ikin nga kjo botë si mëkëtarë dhe të papenduar për të këqijat që kanë bërë.
Mund t’i kishte bërë një kërkesë gjykatës, që t’ia çonte të vëllain brenda në shtëpi, se këto muhabetet shpirtërore nuk mund të bëhen nga maja e dritares.
Pastaj mund t’ua çonte vëllain me radhë, nga Flamur Noka, tek Edi Paloka, Albana etj, të rrëfehen dhe ata, se boll akuza kanë mbi kurriz.
Kushedi, mbase pendohet ndonjëri dhe të paktën rregullon punët me Zotin!
Se këta të PS-së e kanë zgjidhur këtë muhabet!
Pastorin e kanë brenda në Parlament si deputet dhe e dinë ku të rrëfehen, para se të paraqiten para një tjetër “pastori” si Altin Dumani.
Për ata që nuk e dinë, dhe vetë Dumani është një besimtar i rregullt ungjillor, që shkon ndër të tjera çdo të dielë në kishë. Ndaj dhe e mallkon Berisha çdo darkë majë penxheres, duke i përmendur kishën.
E di mirë, që një njeri të Zotit nuk mund ta shantazhojë dot, dhe kërkon ta kompleksojë!