Kremlini ka reaguar ashpër pas publikimit të një regjistrimi audio në të cilin oficerët ushtarakë gjermanë dyshohet se diskutonin mbështetjen për Ukrainën, duke përfshirë përdorimin e mundshëm të raketave Taurus.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cituar nga agjencitë ruse, është shprehur se Perëndimi është përfshirë drejtpërdrejtë në luftën e Ukrainës. Në këtë situatë, Ministria e Jashtme ruse ka thirrur ambasadorin gjerman në Moskë, Alexander Lambsdorff, për të dhënë sqarime.
Më i drejtpërdrejtë ka qenë nënkryetari i Këshillit të Sigurimit rus, Dmitry Medvedev, i cili është shprehur se publikimi i bisedave të oficerëve të lartë gjermanë është dëshmi e qartë se Berlini po përgatitet të nisë luftën kundër Rusisë. “Të gjitha përpjekjet për ta paraqitur këtë si thjesht një lojë raketat e tankesh janë gënjeshtra. Gjermania po përgatitet për luftë me Rusinë,” shkroi Medvedev në Telegram.
Ndërkohë, në një deklaratë të fundit, Zelensky është shprehur se vetëm në muajin shkurt, Ukraina ka arritur të rrëzojë 15 avionë ushtarakë rusë. “Ne mund të rrëzojmë edhe më shumë avionë rusë dhe mund të shkatërrojmë edhe më tej infrastrukturën ushtarake ruse, por kjo kërkon mbështetje me armatime nga partnerët tanë”, ka thënë ai.
/f.s