Ligji për zonat mbrojtura i ndryshuar së fundmi nga mazhoranca socialiste në pushtet ka shkaktuar reagime të shumta, ndërsa opozita ka paralajmëruar dërgimin e tij në Gjykatën Kushtetuese. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e ftuar në emisionin “Kjo javë” nga Nisida Tufa në News 24, teksa mbron ligjin, nënvizon se drafti ka shumë përmirësime krahasuar me propozimin e deputetëve.
“Draft-ligji përfundimtar, i cili u votua ka pasur shumë përmirësim nga drafti që u iniciua sepse deputetët morën në konsideratë edhe mendimin e organizatave mjedisore të qeverisë, edhe duke gjetur një ekuilibër më të qëndrueshëm midis interesave të ekonomive lokale. Të gjithë duhet të kemi shumë respekt për botën e biznesit sepse janë ata që investojnë, krijojnë punësim dhe sjellin të ardhura për buxhetin e shtetit. Të anatemosh ata njerëz që investimet e tyre i hedhin në këto sektorë, do të thotë në radhë të parë të jesh dritëshkurtër ose nuk e duan këtë vend. Unë nuk besoj se ka shqiptar që nuk e do këtë vend, kështu që rrimë tek dritëshkurtësia”, thotë ajo.
Kumbaro u pyet edhe për ndërtime të mundshme në Parkun kombëtar të Divjakës. “Parku kombëtar i Divjakës që është një nga lagunat tona më të jashtëzakonshme. Madje në draft ligjin e ri është theksuar që ekosistemet në sipërfaqen ujore janë më të rëndësishme dhe nuk duhet të preken. Një ndër përmirësimet që sjell nënvizon nevojat për kërkesën më strikte për çdo zonë të mbrojtur.
Ligji i vitit 2017, vendosi për herë të parë rregulla, por realiteti duhet ta ndjekim nga pas për të gjetur balancën e duhur midis nevojës për zhvillim në disa zona me kritere të forta dhe mbrojtjes së mjedisit. Këto kritere do të kalojnë në katër filtra, agjencia e mjedisit, ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe më pas qeveria”, u shpreh ajo.
Opozita pretendon se me anë të ndryshimeve të ligjit do t’i hapet rrugë investimeve strategjike në këto zona./m.j