Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendi që udhëheq vazhdon të jetë i kërcënuar nga ata që duan të pasurohen me luftë dhe armë, duke aluduar në organizatat kriminale që veprojnë në veri të Kosovës.
Në një intervistë për agjencinë italiane “AGI” të shtunën, Kurti ka thënë se ata që u pasuruan me luftën e fundit janë kthyer në kriminelë.
“Ka ende probleme në kufirin me Serbinë. Fatkeqësisht ata që u pasuruan me luftën janë kthyer në kriminelë dhe vazhdojnë të pasurohen me bitcoin, drogë dhe armë. Ata e mbulojnë biznesin e tyre me ide nacionaliste, por janë ende kriminelë”, ka thënë Kurti, i cili është në Itali dhe po merr pjesë në kongresin e Parlamentit Evropian Socialist
Shefi i Qeverisë së Kosovës e ka akuzuar Listën Serbe për lidhje të forta me Serbinë dhe Rusinë.
“Ata flasin për nacionalizëm dhe patriotizëm, por në realitet kanë ide fashiste dhe lidhje me Vuçiçin dhe Putinin”, ka shtuar ai.
Kurti ka deklaruar se po bëjnë çmos që t’i afrohen Bashkimit Evropian. Kosova e dorëzoi aplikacionin për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022, pasi u njoh zyrtarisht nga Komisioni Evropian si shtet “kandidat potencial”.
Kryeministri i Kosovës ka folur edhe për marrëdhëniet me Italinë, duke thënë se ishte skeptik kur Giorgia Meloni u zgjodh kryeministre.
“Duhet të jem i sinqertë. Në të kaluarën e konsideroja Giorgia Melonin të lidhur me të kaluarën e saj të djathtë, me fashizmin.
Që kur u bë kryeministre kam vënë re marrëdhëniet e saj të shkëlqyera me Bidenin dhe SHBA-në, mbështetjen e palëkundur për Ukrainën. Jo kështu për Salvinin që ka marrëdhënie me Putinin”, ka thënë Kurti./m.j