Banorë të një pallati 13 katësh të dëmtuar nga tërmeti në Durrës janë përballur këtë të enjte me policinë bashkiake, pasi refuzojnë të dalin nga objekti që do t’i nënshtrohet rikonstruksionit.
Banorët deklarojnë se objekti nuk ka dëmtime në strukturë dhe se ata kanë përfituar edhe dëmshpërblimin prej 5 milion lekësh për riparimet e brendshme. I konstatuar së fundmi në nivel dëmi më të lartë se në fillim, DS4, banorëve u kërkohet që të dalin në banesa me qira.
Ndonëse banorët kërkojnë një ekspertim të ri, bashkia e Durrësit sqaron se ndërhyrja në objekt dhe forcimi i kolonave mbajtëse të tij është i domosdoshëm, për të shtuar sigurinë teknike të objektit.
Ditën e sotme, këtij objekti pranë drejtorisë së policisë, si dhe një tjetër pallati pranë shkollës Hajdar Dushi, në situatë të ngjashme me të, u është ndërprerë furnizimi me ujë dhe energji elektrike, për t’i detyruar banorët të largohen dhe të fillojnë punimet.