Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News me gazetarin Sokol Balla foli për gjendjen e industrisë ushtarake duke u ndalur edhe tek deklaratat e mbajtura në Samitin për Ukrainën për ringritjen e një fabrike për prodhim të armëve.
Gjatë kësaj interviste, ministri Peleshi u shpreh se baza Poliçanit prej vitesh nuk punon, duke i bërë thirrje investitorëve edhe shqiptarë, të hedhin sytë nga biznesi i sigurisë dhe mbrojtjes.
“Kemi treguar se cila është gjendja e industrisë ushtarake dhe cilat janë planet tona për ta vënë atë në punë., Unë bëj thirrje që të shohin edhe potencialin që ne kemi sepse për fat të keq importojmë gjithçka. Të interesuar për prodhim armësh, jo vetëm për Ukrainën. Nuk mund të ketë një projekt emergjent përsa i përket industrisë tonë ushtarake sepse sic e thashë teknologjitë janë vjetëruar dhe kanë nevojë për investime të rëndësishme. Gjithsesi them se jemi të vendosur për ta rivënë në punë këtë industri dhe më pas padyshim për të furnizuar edhe nevojat tona, por jo vetëm. Jemi në kërkim të investitorëve prestigjiozë që plotësojnë standardet e NATO-s. Nuk jemi në ’97, ngjarjet e kaluara na shërbejnë për t’i marrë të gjitha masat për standardet e sigurisë. Shqipëria ka vetëm një orientim dhe ai është perëndimi. Pra edhe populli shqiptar është me sytë nga Perëndimi. Unë dua të theksoj se na duhet të kultivojmë një mendësi të re në raport me paqen dhe sigurinë. Çdo aleat duhet të investojë në rritjen e kapaciteteve. Natyra e kërcënimeve kemi parë që po ndryshon.
Po punojmë me shpejtësi për të investuar në segmente të munguara në korridorin e tetë, Këto duan investime të mëdha, projektet tona për mbrojtjen ajrore do të nisin nga ky vit. Kjo duhet të vazhdojë.