Fiks Fare denoncoi sesi një qytetare po zhvatet nga një institucion që mbledh kredi të këqija. Një këst i mbetur nga një kredi e mëparshme, është shumëfishuar, madje ajo kërcënohet se do t’i sekuestrohet shtëpia. Por, vetë këto institucione vijojnë që të fusin në “gropë” këtë familje, pasi i shtojnë vlerën me detyrime përmbarimore dhe ekspertët. Dhe vlerën totale të këtyre detyrimeve të reja ia japin kredi të re, me përqindje tepër të larta.
Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua një zonjë nga Vlora. Ajo tregon se shumë vite më parë ka marrë një kredi 1.5 milionë lekë të vjetra. Nuk ka paguar një këst, pasi ka burrin invalid të plotë. Më pas e kanë marrë disa punonjës të institucionit financiar Micro Credit Albania. Disa i thonë ke edhe 2 milionë të mbetura, njëherë 3, e më pas 4 milionë. Denoncuesja thotë se s’ka pasur mundësi ta paguajë dhe i kanë shkuar në banesë dy punonjës të MCA dhe i kanë dhënë një kredi. Pra, kredi për të larë kredinë!
Pas ankesës, denoncuesja dhe bashkëpunëtorët e Fiks Fare shkojnë te zyrat e MCA-së dhe bisedojnë me punonjëset. Sërish i japin disa versione. Punonjësja i thotë se paguan disa këste. “Po, nëse nuk paguan një këst, të shtohet te tjetra dhe bëhen nul të gjitha. Çështja jote ka kaluar në Përmbarim. Ka kosto përmbaruesi, kosto eksperti. Të janë shtuar në vlerë dhe të është bërë një marrëveshje e re” thotë punonjësja. Ato i thonë se duhet të paguajë, pasi i sekuestrohet shtëpia.
Pas këtij takimi në zyrat e MCA-së, denoncuesja zhvillon një bisedë në telefon me një punonjëse tjetër. Sërish kaos, shifra të ndryshme. Sërish e ftojnë për të bërë marrëveshje. I citojnë shifra dhe marrëveshje, dhe i thonë disa herë se “duhet të paguash kaq e aq”. “Të kemi ardhur në banesë, ke bërë marrëveshje” i thonë ato. Qytetarja i përgjigjet se vetëm 2 milionë lekë të vjetra ka aktualisht. “Ke shumë, duhen shumë para…” i përgjigjen ato. Por asnjëherë s’i thonë se ke marrë kredi tjetër.
Fiksi shkon në zyrat e MCA-së dhe punonjëset pohojnë se duhet të bëni një kërkesë për informacion. Fiksi e pyeti MCA-në se, për borxhin e mbetur, zonjës i është dhënë një tjetër kredi! Në këtë përgjigje, Micro Credit përgjigjet se kreditë i janë dhënë kohë më parë, por jo nga ata.
Pyetja e radhës ishte nëse familja ka marrë borxh për të shlyer borxhin?! Ata përgjigjen se bëhet fjalë për ristrukturim apo përtëritje kredie. Por, rezultoi se duke marrë borxh, familja është futur sërish në borxh për të disatën herë. MCA përgjigjet se marrëdhënia e borxhit është vijuese dhe nënshkruhet një marrëveshje e re.
Fiksi e pyet se si u dha kredia në banesë, madje me një kontratë jo para noterit. Ata përgjigjen se kreditë në shumë të vogla nuk nënshkruhen para noterit. Për kalkulimet e kredisë, që rriten dita ditës, MCA -ja thotë se zonja është informuar.
Disa ditë pas interesimit të Fiks Fare, denoncuesja shkruan se ka bërë një marrëveshje të re me MCA-në. Ndryshe nga herët e para, MCA-ja i pranoi pagesën prej 2 milionë lekë të vjetra, të cilat u paguan nga kjo familje.
***
Zyrat e MCA-së, Tiranë
Fiksi – Ka këto akt-marrëveshjet. I kanë shkuar ata në shtëpi dhe i kanë thënë firmos ose do të të marrim shtëpinë.
Punonjësja – Kjo është akt-marrëveshje, nuk është kontratë kredie. Ja ta shoh njëherë. Zonja ka dy akt-marrëveshje. Njëra për detyrimin që ka pasur këtu me kontratë dhe s’e ka respektuar dhe ka bërë marrëveshje të re dhe po e paguan me këste nga 50 mijë lekë. Ka edhe këtë tjetrën që po e paguan me 30 mijë lekë.
Denoncuesja – Jo, unë po paguaj nga 80 dhe 130 mijë lekë.
Punonjësja – Po pra 80 për të dyja.
Denoncuesja – Jo, po paguaj 130 dhe i kam të tëra me fatura këtu.
Punonjësja – Po pra, por për të gjitha në total 130! Për të gjitha detyrimet që ke. Në marrëveshje, kjo është kontrata!
Denoncuesja – Dhe kur kam ardhur për marrëveshje kam paguar 500 mijë lekë.
Punonjësja – 130 mijë lekë fiks, ke dy akt-marrëveshje nga 50 mijë lekë. Më fal, një akt-marrëveshje 30, një 50 dhe 50 kontrata. 130 në total!! E para është për një detyrim të Micro Credit. Kjo është kontratë, kurse tjetra është për një vlerë të ngelur nga P… Një vlerë 1 milionë e pak. Në momentin që ne na vinte një borxh nga x bankë, ne e kemi si rregull që për një pjesë bëjmë kontratë e rregullt, që është kjo këtu, e mirëfilltë. Për një pjesë lihej e pezulluar që është 1 milionë, për tu paguar në një moment të dytë.
Fiksi – Sa ka lenë detyrim nga P…?
Punonjësja – Unë kam vetëm këtë që ka ngelur tani. Ato janë diskutuar shumë më herët që kur janë bërë kontratat. Ne sot kemi një kontratë me Micro Credit, unë nisem nga kjo. Nuk nisem nga sa ka lënë atëherë.
Fiksi – Nga ai këst (që la pa paguar) i janë paraqitur agjentë në shtëpi. Dhe i kanë thënë që di duhet të firmosësh këtë kontratë në 2021-shin (kontratë kredie e re). Në të kundërt ty do të merret shtëpia. Dhe e kanë bërë që të firmosi.
Punonjësja – 1 milionë, po është vlera e ngelur. 1 milionë lekë të vjetra.
Fiksi – Po nëse i ka paguar 5 milionë lekë, i ka të gjitha me fatura.
Punonjësja – Po ajo është kontratë, kontrata për këtë me këste! Se 1 milionë ka qenë e pezulluar. Kjo është për kontratën me këste. Sepse detyrimi u nda në 2 pjesë! Detyrimi u nda në dy pjesë. Një pjesë që është kjo me kontratë, një pjesë u bë marrëveshje.
Fiksi – 2 milionë dhe 1 milionë janë 3 milionë. Zonja ka paguar deri më tani 5 milionë.
Punonjësja – Ky detyrim ka ecur me penalitete.
Fiksi – Në rregull, po deri më tani ka paguar 5 milionë. Ndërkohë tani i kërkojnë 5 milionë e ca. Ky numri që merr në telefon. Ka derdhur edhe 500 mijë lekë për kontratë në fillim.
Punonjësja – Ajo ka qenë parapagesë! Mos kanë ecur këto detyrimet përmbarimore zonja
Fiksi – Po sa janë këto procedurat përmbarimore?
Punonjësja – Mos kanë ecur këto tarifat përmbarimore. Atëherë arsyeja sepse ka vajtur kjo vlerë zonja është se rasti është në përmbarim dhe janë zhvilluar procedurat përmbarimore. Janë bllokuar edhe pasuritë. Edhe për çdo pasuri është bërë vlerësimi nga ana e ekspertit. Po eksperti kërkon një tarifë dhe të gjitha shpenzimet përmbarimore sipas ligjit i ngarkohen palës debitore që në këtë rast është zonja.
Fiksi – Sa është penaliteti?
Punonjësja – 2 % në bazë ditore të vlerës totale të kësteve. Përveç kësaj, duke qenë se ka kaluar në përmbarim, pavarësisht se ti paguan qoftë edhe me 1 ditë vonesë. Dhe po se pagove shkon … janë shtuar edhe këto tarifat përmbarimore. Prandaj të thashë nëse ka mundësi mbylle. Ok, ok ajo është vlera; 5 milionë e 170 e ca mijë lekë sepse janë zhvilluar 3 ankande për pasuritë e zonjës.
Denoncuesja – Duhet të paguaj edhe 5 milionë e 200 mijë akoma?
Punonjësja – Po, edhe 5 milionë … Nëse do ta kishe mbyllur, nëse do të kishe ardhur në gusht s’do të të ishin shtuar këto vlera. Nëse ti nuk paguan, përmbarimi të sekuestron të merr shtëpinë dhe çdo gjë.
Fiksi – Doja të dija vlerën që ka lënë zonja dhe Micro Credit ka blerë atë kredinë e keqe te P….
Punonjësja – S’mund ta shoh dot këtu. Janë në arkiv dokumentet. Edhe po ta shoh s’do të zgjidhësh gjë se çdo gjë i referohet kontratës me MCA. Për sa kohë kalon te ne kontrata, automatikisht këto kushte do jenë kushtet e asaj kontratës dhe jo asaj të P….
Fiksi – Moj te P… e ka shlyer kredinë, por ka lënë këstin e fundit.
Punonjësja – Ajo mund të ketë lënë, po sa ka vajtur! Po s’e kam këtu sa ka qenë, ato janë kontrata të brendshme. Nga njëra anë zonja paguan dhe nga ana tjetër ecin penalitetet. Sepse duhet të kishte ardhur më përpara, duhet të merrte në telefon. Se paguan 3 këste, lë 1 këst njësoj vete. Zëre se s’ke paguar se penaliteti është shumë i lartë. Kështu që duhej të ishte interesuar më përpara.
/f.s