Astriti duket se e ka të vështirë të tregojë për historinë e jetës së tij, për shkak të tragjedisë së madhe.
Astriti dhe Kujtimi do ishin dy vëllezërit e familjes Frangu, arsimtarë, në Lis, nëse nuk do të kishte ndodhur ajo çka shënoi dhe humbjen e jetës së njërit prej tyre, në qendër të fshatit.
Më parë, Astritin e kisha njohur vetëm si mësuesin e historisë, dhe pa ditur asgjë më tepër mbi jetën e tij. Çfarë i kishte ndodhur më herët dhe se cila mudn të kishte qenë arsyeja kryesore për të cilën ai kishte zgjedhur këtë mision në jetën e tij.
Në fakt, kur unë kërkova ta takoj për të bërë një bisedë paraprake, ai pranoi pa hezitim, i lumtur dhe krenar, por gjithashtu nga ana tjetër ndjeva një lloj kyçje në fjalët e tij. Fillimisht rrëfimi i tij po dukej mjaft sipërfaqësor.
Më tregoi se pavarësisht dëshirës, brezi i tij nuk e kishte luksin për tu shkolluar si fëmijët e tij në ditët e sotme. Asokohe edhe pse vullneti dhe dëshira mund të ishte tepër e madhe, mjaftonte që një prej fëmijëve të kishte fituar të drejtën e shkollimit, dhe për të tjerët ky shans ishte zeruar.
Por rasti i Astritit dhe Kujtimit ishte më i vështirë.
Në rrëfimin e tij ai tregon se si një herë një inspektor kishte shkuar në një orë mësimi dhe i kishte bërë mjaft përshtypje inteligjenca e Kujtimit.
-“Bravo, Kujtim Frangu. Kur të mbarosh shkollën e lartë, ti do të bëhesh një profesionist i shkëlqyer në fushën tënde. Po aty ishte edhe drejtori i shkollës, i cili ishte dhe sekretar i organizatës së partisë, i cili i tha në formë vërejtje “Këto punët e kuadrove këtu i dimë ne, dhe jo ju atje lart”. Ai është djali i një të burgosuri politik.”
Kështu që, edhe pse Kujtimi e mbaroi shkollën tetë vjeçare me rezultate të shkëlqyera, nuk iu dha një e drejtë studimi për një shkollë tjetër. Babai i tyre përmendej edhe në librat e diktatorit Enver Hoxha. Kështu tregon Astriti.
Dhe pasi mbaroi edhe të mesmen e përgjithshme, pa një të drejtë studimi, ai u kthye nga Burreli sërish në fshat ku nisi punën në kooperativën bujqësore.
Por vetëm pas shembjes së totalitarizmit, Astriti tregonte se gjërat po ndryshonin për mirë.
Ai tregon se si Kujtimi i priti me entuziazëm proceset demokratike që nisën në vendin tonë, gjatë 1990-ës e në vazhdim.
Në moshën 35-vjeçare, ai thotë se iu fut angazhimit politik, por pa patur asnjë interes për të përfituar ndonjë post.
Me 13 vota pro dhe vetëm 3 kundër ai u zgjodh edhe kryetar i PD-së në zonën e Lisit të Matit.
Dhe në 1991, ai u emërua mësues në shkollën e Lisit. Astriti tregonte se si si e brente ndërgjegja, se si vendin e tij mund ta kishte marrë kushërira e tij.
-Edhe merrte ndonjë lekë, thoshte ai.
Astriti ndërkohë priste të fillonte dhe ai studimet e tij, për tu bërë mësues si vëllai, çka ishte e pamundur, para ’90-ës.
Me rastin e parë, Astriti tregon se arriti të fitojë të drejtën për të studiuar në degën Histori në Universitetin e Tiranës. Studimet I mbylli me sukses e ndërsa priste të ushtronte dhe të drejtën e profesionit.
Jemi në 1997-ën. Shqipëria ishte kaotike, e pastabilizuar. Pritej të zhvilloheshin zgjedhjet, por që ato të ishin të lira dhe demokratike, thotë Astriti, rrethanat tregonin se nuk kishte gjasa.
E në këtë situatë, Kujtimi ishte komisioner në qendrën e votimit në Lis. Sipas Astritit, të gjithë e dinin, që Kujtimi nuk duhet të ishte përfshirë në ato zgjedhje.
Pas votimit, në mbrëmje doli që kishte fituar kandidati I të djathtës. E pas një përplasje me komisionerët e të majtës të cilët kërkonin që të numëroheshin edhe një herë votat,
Nga tensioni ii krijuar si pasojë e përplasjes, rrëfimet tregojnë se është gjuajtur me një armë zjarri, por jo me qëllimin për të vrarë dikë. Megjithatë, ky plumb qorr, i mori jetën Kujtimit, vëllait të Astritit.
-Kur është vrarë Kujtimi, nuk kemi qarë vetëm ne, familja e tij, të afërmit e farefisi, por gjithë lisdanët, kush e ka njohur, thotë ai.
Vite më vonë, Ministria e Mbrojtjes e shpalli atë “Dëshmor të Atdheut”.
Që pas vdekjes së Kujtimit, Astriti vijon të ruajë idealin e demokracisë, ideal për të cilin humbi jetën dhe i vëllai, dhe në fshatin ku u rritën plot peripeci, shkon çdo ditë në shkollë, për t’ju mësuar nxënësve të shkollës nëntë vjeçare e gjimnazistëve, histori.
Nga Bionelda Skonja