Deputeti i Partisë Demokratike Dashnor Sula ka deklaruar se situata e tensionuar në Parlament është e diktuar nga rrethanat.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, mes të tjerash ai u shpreh se mazhoranca kërkon votimin për Amnistinë Penale, ndërkohë që dhunon dhe rreh opozitën.
Sa i përket nenit 5 të projektligjit, nga i cili kreu i PD Lulzim Basha pretendon se përfitojnë zyrtarët e dënuar për korrupsion, Sula tha se për sa kohë falen dhe amnistohen vrasës dhe përdhunues, nuk ka sens të përjashtohen persona të dënuar për korrupsion, vepër e një rrezikshmërie më të ulët.
“Situata në Parlament, jemi të detyruar nga rrethanat. Apeloj që mazhoranca është e para që të kthejë normalitetin. Duke pasur parasysh arsyen pse kemi shkuar deri në këtë pikë. Edhe në rastin e Amnistisë, moment i volitshëm që palët të kishin një qasje ndryshme. Demokracia është pjesëmarrje. Pa pjesëmarrje ka autokraci.
Marrim shembull për votat për Amnistinë. Kërkojnë ta votojmë pasi na rrahin, na dhunojnë, na përdhunojnë. Përsa i përket nenit 5 të Amnistisë Penale, kur fal vrasës e përdhunues, nuk ka sens të përjashtohen veprat e korrupsionit.
Unë e dua amnistinë. Do quhem tradhtar? Të gjitha palët duhet të diskutonin dhe të kishim një produkt të plotë e të bashkërenduar në fund. Parimisht duhet bërë Amnistia. Apeli im parë është për zotin Rama. Unë kam qasje të ndryshme tashmë me Berishën por nuk harroj debatin për zgjedhjet vendore të 2007 për elementët e sigurisë të certifikate, që Berisha tha i takon mazhorancës të krijojë kushtet që opozita të jetë e barabartë me ne në zgjedhje”, tha ai.
Sula foli edhe në lidhje me marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët dhe faktin marrëveshja Ram – Meloni kaloi në seancën e djeshme me ndihmën e votave të PDIU.
“Është si puna e asaj: mbaron bakllavanë e mazhorancës pastaj kalon tek kadaifi i opozitës”, tha ai.
/f.s