Zyrtarët e lartë kroatë të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kanë “zbarkuar” në SPAK ku është diskutuar për gjurmimin, hetimin dhe vendosjen para drejtësisë të personave që pastrojnë para, kryejnë transaksione dhe për gjetur kompanitë guaskë.
Sipas njoftimit të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion kroatët janë takuar me kreun e këtij institucioni, Altin Dumani dhe prokurorë të kësaj Prokurorie.
“Rëndësia e kësaj vizite, qëndroi në diskutimet rreth forcimit të bashkëpunimit dhe lehtësimit të shkëmbimit të eksperiencave më të mira, sukseseve dhe sfidave me të cilat përballen të dyja institucionet në përpjekje të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar.
Fokusi kryesor ishte edhe shkëmbimi i informacionit, veçanërisht në trajtimin e rasteve te pastrimit të parave në Kroaci, sidomos transaksionet e pasurive të paluajtshme, që përfshijnë kompani guaska dhe fonde që vijnë nga ose kalojnë përmes Shqipërisë, si dhe diskutime lidhur me çështjet aktuale për të cilat SPAK dhe USKOK, do të bashkëpunojë në ardhmen”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Në këtë takim është analizuar edhe Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet SPAK-USKOK, i nënshkruar më datë 27 nëntor 2020, ku kryesisht u diskutua rreth vendosjes së pikave të caktuara të kontaktit dhe proceseve për zbatimin e tij.
Gjithashtu, në takimin me Dumanin është vendosur theksi te rritja e bashkëpunimit “ndërkufitar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i cili kishte si qëllim identifikimin e hapave të veprimit për një bashkëpunim më të fortë dypalësh, duke nxjerrë njohuri nga përvojat e përbashkëta”
Gjithashtu, përfaqësuesit e Zyrës për Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Republikës së Kroacisë (USKOK), ndanë njohuritë e tyre mbi nismat kryesore të politikave dhe reformat legjislative të ndërmarra si pjesë e procesit të pranimit të Kroacisë në Bashkimin Evropian.
/a.r