Nga Artur Ajazi
Ligji në vetvete, është një sistem rregullash dhe normash shoqërore që njerëzit duhet të ndjekin në një grupim shoqëror. Ligjet vendosen dhe zbatohen nga institucionet dhe organet ligjore përkatëse të shoqërisë.Ligji është marrëveshje e përcaktuar me disa fjale nga një “bashkësi njerëzish”. Ligjit i nënshtrohen të gjithë pjesëmarrësit që indirekt kanë marre pjese në formulimin e tij. Në botën demokratike, kryesisht atë perëndimore, ligji ka një kuptim rëndësor të veçantë, pasi ai konsiderohet si një “rregull sjelljeje që është pranuar dhe zbatohet nga të gjithë”. Ligji në vetvete, është institucion, dhe ndryshimin e tij mund ta bëjnë me kalimin e kohës vetëm specialistët e fushës juridike. Por çfarë ka ndodhur në Shqipëri , si ka qenë eksperienca e para 1992, e pas 1992, dhe në vazhdim ? Tek ne ligji ka qenë pjesë e ndryshimeve, sa herë ka patur luhatje politike. Eshtë përdorur si mjet mohimi, kundërshimi, dhe trysnie kur duhej të penalizohej një ose disa kundërshtarë politikë. Ligji “hapej dhe mbyllej” në varësi të kushteve kohore. Në sistemin totalitar, ligji ishte krejtësisht në shërbim të nomenklaturës drejtuese. Dhe vetë Kodi Penal dhe Kushtetuta e Shqipërisë, ishin hartuar mbi baza të forta politike, duke krijuar bazë të fortë juridike për funksionimin e shtetit të asaj kohe, ku të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk kishin pothuajse 2-3 kapituj të veçantë. Viti 1992, e gjeti Shqipërinë me sistem të ri politik. U flak tutje Kushtetuta dhe Kodi Penal i asaj kohe, dhe u propogandua me të madhe “krijimi i ligjeve të reja demokratike”. U kopjuan kode penale të ndryshme, nga ai gjerman, francez, italian, amerikan, anglez, e suedez, por kurrë nuk u arrit të krijohej një bashkësi ligjesh të pakontrolluara nga politika. Ishte pikerisht politika, që kontrollonte dhe ndryshonte në detaje, ligjet, sistemin e drejtësisë, jepte porosi dhe urdhëra për arrestime, lirime, dënime, shtetëzime, gllabërime, të gjitha të “bazuara në ligje”. Ligji ishte si “llastiku”. Hapej dhe mbyllej gjithmonë kur fliste politika. Periudha më e errët e Shqipërisë postkomuniste, ishte ajo e 1992-1997. Qeveriste Partia Demokratike, dhe ligji nuk kishte asnjë vlerë juridike, veçse politike. Dënohej kundershtari politik, dënohej kush ofendonte presidentin, kryeministrin, ministrin, kryetarin e partisë-shtet, dënoheshe kur botoje një shkrim në gazetë ku denoncoje vjedhjet qeveritare, krimin, trafikun, korrupsionin, mbylleshin seli gazetash dhe seli partish. Drejtësia ishte kapur nga politika, e cila shpiku “Plepat” për të trajnuar dhe nxjerrë “prokurorët dhe gjyqtarët e demokracisë”. Ligji ishte përdhosur, kurse vendimet gjyqsore merreshin nga selia e partisë-shtet. Situata në të cilën ndodhej fusha e zbatimit të ligjit në Shqipëri, ishte në vëmëndjen e vazhdueshme të KiE-së, OSBE-së, BE-së dhe DASH-it. Alarmi binte gjithsesi në veshin e shurdhër të ish-kreut të qeverisë dhe ish-presidentit të asaj kohe. Ndryshimi mentalitetit duhej të niste nga reforma rradikale në sistemin e drejtësisë. Mbi 417 prokurorë dhe gjyqtarë “Plepash”, duheshin larguar nga sistemi drejtësisë, pasi ishin fajtorë për mbi 48 mijë vendime të padrejta dhe të paligjshme të marra në vite ndaj qytetarëve. Kostua ishte e paimagjinueshme. Ishin dëmtuar ish-pronarët, ishin shitur dhe ishin blerë pasuritë publike, ishin shitur dhe kishin mbushur xhepat me miliona dollarë nga pronat e ushtrisë, hekurudhës, porteve detare, minierave, naftës, gazit, etj, etj, me vendime të paligjshme të gjykatave tona politike. Por, “llastiku po këputej”.. Edi Rama , pikërisht erdhi në pushtet me një drejtësi të tillë, me ligje të tilla të pazbatueshme, por me vendimin për të ndryshuar gjithçka. Nuk mund të hidhje hapin e duhur drejt progresit dhe integrimit, kur para teje shtrihej “moçali dhe këneta” e qelbur, që ligjin e kishin bërë pis me kohë. Dhe është arritur diçka ? Po, është arritur shumë.Mjafton të themi se, po hetohen dhe dënohen të “pandëshkueshmit”, kusarët dhe barbarët e tranzicionit.