Izraeli është shumë pranë largimit nga festivali evropian i këngës “Eurovision”, pasi EBU (Unioni i Transmetuesve Evropian), e cila organizon festivalin nuk ka pranuar një version të këngës përfaqësuese të Izraelit për shkak të mesazheve politike.
Gazeta izraelite “ynet” po raporton se kënga e Izraelit në Eurovision 2024 mund të skualifikohet për shkak të teksteve politike.
Duke cituar “burime evropiane”, gazeta thotë se kënga përmban deklarata politike – diçka që shumë vëzhgues e kishin supozuar pas zbulimit se kënga titullohet “Shiu i Tetorit”.
KAN, transmetuesi izraelit, mblodhi shpejt një këshill për të diskutuar skualifikimin e mundshëm. Gazeta thotë se u vendos që nëse kënga skualifikohet për shkak të përmbajtjes së saj politike, Izraeli do të tërhiqet nga konkursi në vend që të ndryshojë fjalët ose të ndryshojë këngën.
Bjellorusia mori një vendim të ngjashëm në vitin 2021, duke refuzuar të ndryshojë këngën e saj në një mënyrë që përputhet me rregullat e garës.
Transmetuesi izraelit tha se nuk do të ndryshojnë tekstin apo këngën, edhe nëse kjo i kushton me mospjesëmarrje të Izraelit në Eurovision këtë vit.
“Korporata Transmetuese e Izraelit është në dialog me EBU në lidhje me këngën që do të përfaqësojë Izraelin në Eurovision”, thuhet në deklaratën e “ynet”.
Më 16 shkurt, Unioni Evropian i Transmetuesve përsëriti se nuk do ta përjashtonte Izraelin nga Eurovizioni për luftën e vazhdueshme në Gaza. Ai tha publikisht, se Eurovizioni është një garë mes transmetuesve dhe jo qeverive.
Në fillim të kësaj jave doli se kandidati kryesor ishte një këngë e quajtur “Shiu i Tetorit”, për të cilën shumë kanë supozuar se i referohet sulmeve të 7 tetorit në Izrael.